Kush është Millan Mihajloviq - POPI, i akuzuari i fundit në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit

Millan Mihajloviq, i akuzuar nga Prokuroria Speciale të jetë pjesëtar i grupit kriminal të udhëhequr nga Millan Radoiçiq, ka dalë para Gjykatës së Prishtinës për t`u përballur me akuzat që lidhen me rastin e vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq.

Seanca fillestare e së enjtes (29.02.2024) ka dështuar të mbahet për shkak se mbrojtja me avokatin Pregrad Milkoviq nuk ishin të pajisur me shkresa të lëndës.

Ani pse i akuzuari del të ketë qenë i paarritshëm për organet e drejtësisë për gati 3 vite, Kallxo.com mëson se ai sot mbrohet në liri dhe ndaj tij nuk ka asnjë masë sigurie.

Pasi që kishte pezulluar procedurën, Prokuroria Speciale më 21.11.2019 kishte bërë kërkesë për lëshimin e urdhër arrestit. Ndërsa arrestimi i tij ndodhi 2 vite e 11 muaj më pas, më datë 19.10.2022.

Me aktakuzën e datës 27.12.2023 Prokuroria Speciale po e akuzon Mihajloviqin, i njohur me nofkën “POP” për pjesëmarrje ose organizim në grup kriminal, kanosje dhe falsifikim të dokumenteve. Të gjitha këto, në lidhje me vrasjen e Ivanoviqit.

Rasti po trajtohet në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës nga Gjyqtari Lutfi Shala. Ndërsa aktakuza është ngritur dhe po përfaqësohet nga prokurori special Burim Qerkini.

Në këtë Gjykatë paralelisht po zhvillohet gjykimi ndaj gjashtë të akuzuarve të tjerë lidhur me rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

Kujtojmë se më 16.01.2018, politikani serb Oliver Ivanoviq u vra me gjashtë plumba në afërsi të selisë së partisë së tij në Mitrovicën e Veriut. Vrasje për të cilën nuk ka akoma asnjë epilog.

Për vrasjen e tij po akuzohen Rade Basara, Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Nedelko Spasojeviq, Zharko Jovanoviq dhe Dragisha Markoviq, si pjesëmarrës në këtë vrasje.

Në akuzën e tillë përfshihet edhe Millan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq si udhëheqës të grupit kriminal, të cilët ndodhen në arrati.

Dosja e Prokurorisë

Sipas aktakuzës, Millan Mihajloviq prej vitit 2014 e tutje ka qenë anëtar i grupit të organizuar kriminal së bashku me të akuzuarit Nedeljko Spasojeviq, Marko Roshiq, Silvana Arsoviq dhe Rade Basara.

Strukturë kjo, sipas Prokurorisë e udhëhequr nga Millan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq.

Dosja thotë se si pjesë e këtij grupi, Mihajloviq së bashku me të akuzuarit e tjerë kanë kryer veprime inkriminuese që kanë çuar deri tek vrasja e Oliver Ivanoviq.

Qëllimi i veprimtarisë së përgjithshme të grupit kriminal në fjalë, sipas dosjes, ishte shtrirja e kontrollit në veri të Kosovës.

Përveç kësaj, dosja e ngarkon Mihajloviqin edhe për kanosjen e një hetuesi të Inspektoratit të Policisë së Kosovës me inicialet Z. J.

Sipas dosjes, i akuzuari duke pasur urdhër arrest aktiv, ishte intervistuar nga Policia e Kosovës në Mitrovicë dhe ishte liruar.

Për këtë arsye, aktakuza thotë se Inspektorati Policor i Kosovës kanë nisur hetime ndaj policëve që e kanë liruar të njëjtin, me ç’rast i akuzuari ka kërcënuar përmes telefonit hetuesin e rastit.

Tutje, sipas aktakuzës, të akuzuarit gjatë arrestimit i është gjetur një letërnjoftim i cili ka rezultuar të jetë i falsifikuar.

Gjatë intervistimit të të akuzuarit në Prokurorinë Speciale më datë 08.03.2023, Mihajloviq kishte mohuar të ketë qenë në Mitrovicën Veriore në kohën e vrasjes së Ivanoviqit si dhe mohon të ketë marrë detyra nga Radoiçiqi dhe se emrat e përmendur në aktakuzën për vrasjen e Ivanoviqit nuk i njeh.

(Shënim: Titullit i është shtuar nofka e të akuzuarit – Koha e editimit: 14:08 – 29.02.2024)