Kusari Lila: Të përsëritet konkursi për zgjedhjen e dy anëtarëve joekzekutiv të Bordit të BQK-së

Në pikën ku pritet të bëhet zgjedhja e dy (2) anëtarëve joekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, kandidatët e propozuar sipas nënkryetares së Kuvendit të Kosovës Arbërie Nagavci janë 7 burra Bexhet Brajshori, Fadil Osmani, Nexhat Kryeziu, Nuhi Ahmeti, Petrit Gashi, Ramë Rexha dhe Sejdi Rexhepi.

“Aktualisht komisioni i ka propozuar 7 kandidatë për dy pozita por me ligj nuk është përcaktuar mënyra dhe forma e përzgjedhjes. Andaj votimi do të jetë i fshehtë dhe kandidatët që i fitojnë shumicën e votave të deputetëve të pranishëm do të përzgjidhen në pozitën e anëtarëve jo ekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës”, tha ajo.

Por për këtë pikë kishte reagim nga deputetja e LVV-së Mimoza Kusari- Lila e cila tha se ka mjaft arsye që të shkoj konkursi në pikën zero pasi sipas saj nuk ka kandidate gra.

“Po bëhet shkelje e vazhdueshme e ligjit në këtë Kuvend. E konsideroj të pa arsyeshme që për dy pozita të na vijnë 7 kandidat burra. Ju bëjë thirrje grave deputet të jenë të vëmendshme në zgjedhjen e këtyre trupave që i voton Kuvendi. Ky konkurs të shkoj në pikën zero dhe të filloj nga fillimi”, tha ajo duke shtuar se e konsideronë të paarsyeshme dhe të panevojshme të votohet.

“Të paktën ti kishin 3 gra dhe 4 burra që deputetët të votojnë”, shtoi ajo.

Edhe Ganimete Musliu nga PDK-ja e mbështeti idenë e Kusari Lilës.

“E mbështes idenë e zonjës Kusari Lila. Duhet të punojmë më shumë brenda partive politike që pastaj ti japim zë grave këtu në Kuvend”, tha ajo.

Deputetja e LDK-së Vlora Limani Hajnuni tha se e mbështet thirrjen që korrespondon në zbatimin e ligjit për barazi gjinore në gjitha bordet.

“Duhet ta shohim defektin pse ato nuk po konkurrojnë dhe cili është defekti kur gjatë procesit intervistues edhe kur kemi gra ato diskualifikohen dhe na vjen lista me komplet burra”, tha ajo.