Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kusari- Lila: Skenari i agresionit rus ndaj Ukrainës, i njëjtë me atë të Millosheviqit në Ballkan

Deputetët e Kuvendit të Kosovës po diskutojnë rreth rezolutës për mbështetjen e Ukrainës dhe popullit të saj në rezistencë ndaj agresionit rus.

Kryetarja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila ka thënë se skenari i agresionit rus në Ukrainë sot ka të njëjtën frymë sikur skenari i Sllobodan Millosheviqit në Ballkan.

Ajo tha se Vladimir Putin sot si dikur Millosheviq, po përdorë çdo mjet propagande për të arsyetuar agresionin.

“Vladimir Putin sot sikur dikur Sllobodan Millosheviq, përdorë çdo mjet propagande dhe gënjeshtre për ta arsyetuar agresionin e vet. Ai gënjen kinse po i mbron rusët në Ukrainë ndaj të cilëve kinse po zhvillohet gjenocid dhe se në Ukrainë po rrezikohet kisha ortodokse ruse”, tha Kusari Lula.

Kusari Lila tha se pamjet e luftës nuk janë diçka e re as për Kosovën e as për Ballkanin.

“Në Kosovë u vranë dhe u sakrifikuan jetëra të mijëra qytetarëve civilë dhe ushtarëve të lirisë. Në vitet që pasuan pas çlirimit të pavarësisë rrugëtimi ynë për të qenë një prej shteteve anëtare të Bashkimit Evropian u përcolle me shumë sfida e pengesa disa prej të cilave kanë humbur kuptimin në raport me qëllimin dhe ato mund të ndikojnë në një të ardhme në humbjen e besimit të qytetarëve në konceptin e përbashkët të unionit të vlerave”, tha ajo.

Ajo foli edhe për shtetet të cilat i kanë vënë sanksione Rusisë e që sipas saj është një numër i vogël shtetesh që është në krah me shtetin rus.

“Fatmirësisht ka mbetur një numër shumë i vogël i shteteve në krah me Rusinë dhe aspiratat pushtuese të saj. Në kufi me Ukraninë ka mbetur Bjellorusia të cilës BE-ja njëjtë sikur Rusisë ja vendosi sanksionet, ndërsa në kufirin tonë verior është Serbia e cila refuzoi bashkërendimin me shtetet tjera të Bashkimit Evropian dhe vendet tjera demokratike për sanksione ndaj Rusisë edhe pse ka statusin kandidat të BE-së”, ka thënë  Kusari Lila

Teksa po futemi në javën e dytë të pushtimit rus në Ukrainë, Rusia i ka intensifikuar sulmet e saj në qytetet kryesore të Ukrainës – me luftime që po vazhdojnë pothuajse në pjesën më të madhe të territorit të Ukrainës.

Dita e tetë e ndërhyrjes ushtarake ruse në Ukrainë