Mimoza Kusari-Lila

Kusari-Lila: Reagimi negativ i opozitës për sondazhet zgjedhore, mungesë e sigurisë së tyre

Kryetarja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari – Lila ka folur për zgjedhjet e ardhshme nacionale, pas zërave që të njëjtat mund të mbahen në vitin 2024.

Ndërsa ka thënë se habitet nga reagimi negativ i partive opozitare ndaj sondazheve që bëhen për të matur opinionin publik.

“Me habitë reagimi negativ i opozitës në raport me rezultatin e sondazheve sepse janë te njëjtat kompani që në vazhdimësi bëjnë sondazhe dhe kanë kredibilitetin e krijuar në bazë të punës së tyre, sepse ndër vite kanë bërë matje të opinionit dhe kanë punuar edhe për organizata ndërkombëtare. E shoh si mungesë të sigurisë së tyre dhe refuzim të pranimit të realitetit edhe bazuar në rezultatin e zgjedhjeve të 2021”- ka thënë ajo.

Ndërsa ka shtuar se LVV ka marrë mandat të plotë nga qytetarët si rezultat i zgjedhjeve të 15 shkurtit 2021.

“Ne kemi marrë një mandat te plotë nga qytetarët dhe nuk na kanë dhënë mundësi të planifikojmë mandat tjetër përveç atij 4 vjeçar. Ne vazhdojmë të mbetemi të përkushtuar që të kryjmë sa më shumë punë dhe në zgjedhje të shkohet në orar të rregullt. Tashmë dihet qe është viti i fundit i mandatit në legjislativ e ekzekutiv, dhe është shtytje për ne që të realizojmë sa më shume pune që janë nisur”- ka shtuar ajo.

Kusari – Lila pas mbledhjes së kryesisë ka folu edhe për fillimin e sesionit pranveror të Kuvendit të Kosovës.

“Këtë javë Kuvendi do të mbajë një seancë e cila është caktuar me 40 nënshkrim nga opozita për çmimin e energjisë elektrike. Nuk kemi caktuar seancë të rregullt, e cila unë konsideroj që nuk është fillim i mbarë në një farë mënyrë sepse do të duhej seancë me deklarim, pyetje parlamentare”- është shprehur ajo.