Kusari – Lila për grafitet në veri: Situata mbetet e brishtë për shkak të rrezikut nga grupet e mbështetura nga Serbia

Kryetarja e Grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari – Lila ka komentuar paraqitjen e grafiteve me përmbajtje përçarëse dhe të urrejtjes ndëretnike në komunat në veri të Kosovës.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të mbajtur me 12.02.2024, ajo ka thënë se është evidente që situata e sigurisë në veri mbetet e brishtë.

“Është evident fakti që situata mbetet e brishtë në veriun e vendit për shkak të pretendimeve dhe rrezikut potencial nga grupe të mbështetura nga Serbia. Paraqitja e grafiteve është marrë me seriozitet të organeve kompetente në identifikimin e autorëve. Të tilla nuk kemi pasur vetëm në Kosovë, por edhe në Malin e zi”- ka thënë ajo më 12.02.2024.

Policia e Kosovës në raportin 24 orësh, ka njoftuar se tri raste të “nxitjes së përçarjes dhe mosdurimit” janë shënuar me 11.02.2024, në Zubin Potok, Mitrovicë të Veriut dhe në Leposaviq.

Në këto grafite shkruhet: “Kur të kthehet ushtria në Kosovë, Brigada e Veriut jeton”.

Marrë parasysh këto veprime dhe të tjera të kësaj natyre, Kusari- Lila ka deklaruar se Serbia nuk i ka ndalur tentimet për destabilizim të Kosovës.

“Sa i përket mundësisë së paraqitjes së sulmit si të Banjskës, të gjitha informacionet tregojnë që asnjëherë nuk kanë rreshtur tentimet për destabilizim të Kosovës por përgatitja e organeve të rendit është në nivelin e duhur”- tha ajo pas mbledhjes së Kryesisë.

Kusari- Lila ka folur edhe për raportimet se ishte planifikuar atentat në Shkup ndaj kryeministrit Albin Kurti.

Sipas saj, siguria e krerëve institucional është shtuar kohëve të fundit pikërisht si rrjedhojë e situatës së sigurisë.

“Ka disa javë e muaj që është shtuar siguria personale e krerëve të vendit në Kosovë, si rrjedhojë e potencialit që ata mund të jenë target dhe si rrjedhojë e destabilizimit të situatës. Nuk mund të flas për diçka që është në kofidencialitet të lartë, por mund të them se po vazhdon të mbetet situatë që grupet kriminale nuk rreshtin për të paraqitur rrezik për vendin. Nuk e marrë asnjë prej këtyre lajmeve me spontanitet, mendoj që situata do të mbetet e tillë përderisa kemi këtë Serbi”

Rtklive ka raportuar më 10.02.2024, në 12:30h se ishte planifikuar atentat në Shkup ndaj ndaj kryeministrit Albin Kurti, por këtë e ka demantuar Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut .

Kurti, megjithatë ka deklaruar se nuk është ndjerë i rrezikuar, edhe pse ka mësuar se ka shumë kërcënime nga Beogradi zyrtar.

Para mediave, ai ka thënë se gjatë vizitës në Shkup, ka vërejtur se ka shumë forca policore që po kujdeseshin për mbledhjen e partive socialdemokrate.