Mimoza Kusari-Lila

Kusari-Lila: Javën tjetër, Qeveria do ta sjellë në Kuvend koeficientin e pagave

Kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, ka thënë se vlera e koeficientit për paga pritet të bëhet publik deri javën tjetër.

Ajo ka thënë se Qeveria do e sjellë në Kuvend koeficientin të miratuar në kuadër të Ligjit për Buxhetin dhe me këtë rast do të bëhet një plotësim-ndryshim.

“Koeficientin besoj shumë shpejt Qeveria brenda pak ditëve, nëse jo këtë javë, javën tjetër do e përcjelli në Kuvend të miratuar në kuadër të Projektligjit për buxhetin dhe më këtë rast do të behet një plotësim ndryshim në mënyrë që do të jetë fiks vlera e koeficientit, një praktik që do ta thjeshtësojë shumë punën ne trajtimin e pagave dhe koeficienteve në vitet në vijim” – ka thënë Kusari – Lila.

Ajo nuk ka pranuar të jap informacione nëse personalisht është në dijeni sa është vlera e koeficientit.

“Unë prapë e rezervoj veten të flas për këtë çështje pa e bërë publike qeveria”- ka thënë ajo pas mbledhjes së Kryesisë së  Kuvendit.

Ndërsa kryetari i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se koeficienti për paga nuk duhet të jetë nën 130 euro.

“Ne si PDK mendojmë që koeficientit më pak se 130 euro nuk do të arrijë të sigurojë pagë e cila pagë do të jep një jetë e dinjitetshme ose të kaloj këto sfida. Kemi trefishim të çmimeve të produkteve esenciale. Në 130 euro nuk është koeficient i cili arrin me sigurua një jetë që përmbush obligimet mujore”- ka thënë ai.

Ai ka shtuar se të gjithë procesin e ka karakterizuar mostransparenca.

“Ne kemi theksuar në vazhdimësi që këtë proces e ka karakterizuar mos transparencë e madhe. Përcaktimi i koeficientit do të duhej të ndodh si rezultat i një debati të gjerë mes qeverisë dhe grupeve të ndryshme të interesit” – ka thënë ai.

Vlera e koeficientit përmes të cilit caktohen pagat e zyrtarëve publikë ende nuk dihet zyrtarisht, ndonëse Ligji për paga është publikuar në Gazetën Zyrtare në fillim të janarit.

Disa ditë më parë Qeveria e Kosovës në një përgjigje për KALLXO.com ka bërë të ditur se vlera monetare e koeficientit pritet të caktohet gjatë këtij muaji.

“Vlera e koeficientit do të caktohet gjatë këtij muaji, pra gjatë muajit janar, bazuar në tërësinë e koeficienteve të shpërndarë me Ligjin e Pagave.”- tha zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Ligji për Pagat në sektorin publik është miratuar në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës, me 22 dhjetor 2022.

Në votimin e dytë të Projektligjit për paga, deputetët e tri partive opozitare PDK, LDK dhe AAK nuk morën pjesë ndonëse ishin të pranishëm në sallën e parlamentit.

Kritikat e tyre, lidheshin kryesisht me mos caktimin e vlerës së koeficientit.

Në muajin shkurt në media rrodhi një draft i Projektligjit për Paga në sektorin publik, në të cilin koeficientët ishin nga 1 deri në 20.

Në atë kohë pati reagime e pakënaqësi nga kategori të ndryshme të zyrtarëve publikë në lidhje me koeficientët. Por, në atë draft të projektligjit nuk ishte përcaktuar vlera e koeficientit për vitin e parë të zbatimit të këtij ligji ndërsa në vitet pasardhëse do të përcaktohej në Ligjin për buxhetin.

Zyrtarisht as tash, nuk dihet sa është koeficienti.