Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit. 12.06.2023. Foto: KALLXO.com

Kusari- Lila i reagon Abelard Tahirit për mungesën e përfaqësuesve të LVV-së në mbledhje të Kryesisë

Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, përpos kryetarit të Kuvendit, nuk ishin të pranishëm përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Mbledhja nuk arriti të mbahet, përpos kryetarit të Kuvendit, nuk ishin as përfaqësuesit e mazhorancës, pra të shumicës, Lëvizjes Vetëvendosje. Ishte një dështim i radhës i mbledhjes së kryesisë” – ka thënë Tahiri.

Këtë deklaratë të tij e ka demantuar kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari- Lila. Ajo ka thënë se deklarata e Tahirit nuk është e vërtetë.

Sipas saj, mbledhja e Kryesisë së Kuvendit ka dështuar për shkak të mungesës së dy nënkryetarëve të Kuvendit nga opozita, Enver Hoxhaj nga PDK dhe Kujtim Shala nga LDK.

“Për të satën herë me radhë, shefat e grupeve parlamentare NUK E BËJNË kuorumin e Kryesisë, atë e përbëjnë Kryetari dhe Nënkryetarët e Kuvendit. Sot prezent ishin, Kryetari Glauk Konjufca dhe Nënkryetari Bahrim Shabani nga pozita, ndërsa dy Nënkryetarët nga opozita pa ndonjë paralajmërim, nuk u paraqiten në takim”- ka shkruar Kusari- Lila në Facebook.

Në këtë mbledhje të mbajtur sot nuk është vendosur për seancë të re për shkak të mungesës së kuorumit për vendimmarrje.

Ekipi i KALLXO.com ka përcjell nga afër mbledhjen e sotme të Kryesisë.

Në kohën kur mediat janë lejuar të marrin pamje, në sallën e Kuvendit (C301) të pranishëm kanë qenë, kryetari i Kuvendit Galuk Konjufca, nënkryetari i Kuvendit nga komunitetet Bahrim Shabani, kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri dhe kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit. 12.06.2023. Foto: KALLXO.com

Sipas rregullores, Kryesia e Kuvendit përbëhet nga Kryetari dhe pesë nënkryetarë.

Aktualisht nënkryetarët e Kuvendit janë Saranda Bogujevci (LVV), Enver Hoxhaj (PDK), Kujtim Shala (LDK) dhe Bahrim Shabani nga komunitetet jo shumicë.

Neni 20 thotë se mbledhja zhvillohet kur janë të pranishëm shumica e anëtarëve të Kryesisë.

Ndërsa, tutje thuhet se me ftesë të Kryetarit të Kuvendit në mbledhje të Kryesisë, pa të drejtë vote, mund të marrin pjesë kryetarët e grupeve parlamentare dhe kryetarët e komisioneve parlamentare.