Kurti viziton punimet: Autostrada e Gjilanit po bëhet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar punimet të cilat po realizohen për ndërtimin e autostradës së Gjilanit. Kurti ka theksuar se autostrada Prishtinë-Gjilan po bëhet.

“I vizituam tre llotet. Llotin e parë në gjatësinë mbi 4.8 km, llotin e dytë 2.5 km dhe llotin e tretë 2.2 km, me ç’rast e pamë edhe punën që po bëhet për nënkalimin ndërmjet llotit të dytë dhe llotit të tretë që në këtë mënyrë do të mundësojë edhe lidhjen e fshatrave sikurse Smallusha që të ketë gjithashtu qasje”- ka deklaruar Kurti.

Kreu i ekzekutivit është zotuar se do t’i kushtojë rëndësi punimeve cilësore, por gjithashtu edhe ndriçimit dhe sinjalistikës.

“Po ashtu falënderoi edhe ministrinë, punëtorët e pronarët e operatorëve ekonomikë të cilët po e përmbushin kontratën me punë cilësore”- ka shtuar Kurti.

Bashkë me Kurtin ka qenë edhe zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi. Sipas njoftimit të Qeverisë, ai ka thënë se punimet po zhvillohen me intensitet të lartë në 8 llotet dhe po bëjnë përpjekjet maksimale që punimet të përfundojnë gjatë këtij viti.

“Sepse buxheti është ndarë për këtë” – citohet të ketë thënë Durmishi.

Zëvendësministri Durmishi ka thënë po ashtu se janë duk përgatitur dokumentacionin e nevojshëm në mënyrë që në vitin e ardhshëm të fillojnë me vazhdimin e kësaj autostrade nga Bresalci deri te Dheu i Bardhë.

Ndërsa kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka thënë se kjo rrugë ka rëndësi të veçantë jo vetëm për Anamoravën por edhe për gjithë vendin, për shkak të lidhjeve dhe korridoreve ndërkombëtare.

Autostrada Prishtinë- Gjilan kishte nisur punimet në vitin 2018 në kohën kur Ministria e Infrastrukturës udhëhiqej nga Pal Lekaj i AAK-së. Ky projekt ishte paraparë që të përfundonte në fund të vitit 2020.