Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kurti: Vdekja e Navalnyt është një thirrje për të parë autoritarizmin ashtu siç është

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurit ka reaguar në lidhje me vdekjen e liderit të opozitës ruse, Alexei Navalny.

Navalny, i konsideruar gjerësisht si kritiku më i hapur i presidentit Vladimir Putin, ka vdekur më 16.02.2024 sipas të dhënave nga shërbimi i burgut të rajonit Yamalo-Nenets.

Sipas kryeministrit Kurti, vdekja e Navalny është një thirrje për të kuptuar se çka është autoritarizmi.

“Pak orë më parë e dëgjova Yulia Navalnaya në Konferencën e Sigurisë në Mynih. Vdekja e raportuar e Alexei Navalny është një thirrje për të gjithë për të parë autoritarizmin ashtu siç është, një gatishmëri për të vrarë dhe torturuar këdo që kërcënon kontrollin e ngushtë të pushtetit” – ka shkruar kryeministri Kurti, në platformën X.

Navalny po vuante një dënim me 19 vjet burg për akuza që shihen gjerësisht si të motivuara politikisht.

Ai u zhvendos në një burg në Arktik, i njohur si ndër burgjet më të rënda të Rusisë, në fund të vitit të kaluar.

Shërbimi i burgut në rrethin Yamalo-Nenets raportoi se Navalny ishte “ndier keq” pas një shëtitje më16.02.2024 dhe më pas humbi vetëdijen.

Kurti po qëndron në Mynih të Gjermanisë në kuadër të Konferencës së Sigurisë.

Gjatë qëndrimit të tij në Mynih të Gjermanisë, ka zhvilluar një takim bilateral me kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis. Ai po ashtu është takuar me kryetarin e Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Zhelko Komsh, disa senatorë amerikanë, kryeministrin e Armenisë, Nikol Pashinyan, me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrel dhe të tjerë.