Foto: ZKM

Kurti u përgjigjet kritikave për reduktimet e rrymës në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë ka folur për krizën energjetike dhe rikthimin e reduktimeve të rrymës në Kosovë këto ditë.

Duke i komentuar kritikët politik për gjendjen me energji elektrike, ai ka fajësuar pushtetin e kaluar, duke i quajtur reagimet propaganduese.

“Ndonëse ndodhemi në një krizë të vështirë energjetike, do të bëjmë gjithë çka mundemi e krejt çka dimë të dalim me sa më pak humbje e dëme prej saj. Ndërkaq ata që për dështimet e tyre me dekada kërkojnë nga ne që sot shënojmë 9 muaj në qeveri, duhet më parë ta shohin vetën në pasqyrë. Zëri i tyre i lartë i propagandës nuk duhet ta turbullojë zërin tonë të arsyes”, ka thënë kreu i Qeverisë.

Për situatën me rrymë, përfaqësues politik opozitar kanë fajësuar Qeverinë Kurti. Ish-kryeministri dhe kryetari i AAK, Ramush Haradinaj ka komentuar krizën me energji në vend duke shtruar pyetjen se “ku i kishin mendtë Kurti e VV”.

Edhe ish-lideri i LDK-së dhe ish-kryeministri, Isa Mustafa ka thënë se “qeveria plebishitare na solli në vitin 2000. Pa rrymë e me agregat”.

Kompania për Distribuim me Energji Elektrike në Kosovë (KEDS) ka njoftuar të mërkurën se këto ditë do të ketë reduktime të energjisë elektrike.

Këto reduktime do të jenë nga dy orë dhe do të prekin të gjithë qytetarët e Kosovës, përveç atyre emergjentë.