Kurti tregon dallimet mes Kosovës dhe Serbisë për marrëveshjen për të pagjeturit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka treguar mospajtimet që kanë me palën serbe për marrëveshjen për të pagjeturit.

Kurti në konferencën për media pas mbledhjes së qeverisë, ka thënë se Kosova insiston në terminologjinë ‘të zhdukurit me dhunë’, ndërsa Beogradi dëshiron vetëm që t`i referohen si të pagjetur.

“Një dallim kryesor që ekziston sa i përket emërimit të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës, Beogradi insiston që të quhen persona të pagjetur, ne insistojmë që të thuhet të zhdukur me dhunë, sepse ata nuk janë të zhdukur në fatkeqësi natyrore. Bëhet fjalë për kidnapime, rrëmbime të cilat janë bërë më dhunë, prandaj insistimi ynë është që të bëhet kjo gjë”, tha Kurti.

Kurti ka komentuar edhe deklaratën e emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi i cili mbrëmë tha që jemi dy fjalë afër apo dy fjalë larg marrëveshjes për të pagjeturit.

“Besoj që është çështje perceptimi sesa jemi afër e larg, është e vërtetë që nuk jemi shumë larg, por mendoj që është një qik e nxituar për të thënë se jemi tepër afër”, tha Kurti.

Dje, Emisari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se Kosova dhe Serbia janë afër arritjes së marrëveshjes për të pagjeturit.

“Ne jemi dy fjalë afër ose dy fjalë larg marrëveshjes dhe ne do të kemi konsultime për këtë edhe në ditët në vijim për këtë. 99.5% e teksti është dakorduar dhe tani duhet vetëm vullnet politik”, tha Lajçak në një intervistë për RTK-në.

Lajçak: Ne jemi dy fjalë afër apo dy fjalë larg marrëveshjes për të pagjeturit