Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Lajçak: Ne jemi dy fjalë afër apo dy fjalë larg marrëveshjes për të pagjeturit

Emisari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se Kosova dhe Serbia janë afër arritjes së marrëveshjes për të pagjeturit.

“Më logjike e me e dukshme do të ishte një rezultat pozitiv i takimit, marrëveshja për personat e zhdukur sepse kjo është një çështje aq e dhimbshme, po aq e dhimbshme për familjarët e personave të zhdukur në Kosovë e në Serbi. Ne jemi duke punuar për këtë në veçanti. Ne jemi dy fjalë afër OSE dy fjalë larg marrëveshjes dhe ne do të kemi konsultime për këtë edhe në ditët në vijim për këtë. 99.5% e teksti është dakorduar dhe tani duhet vetëm vullnet politik”, tha Lajçak në një intervistë për RTK-në.

Ai e konsideron se nuk është tragjedi dështimi i takimit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili ishte paraparë të zhvillohej para pushimeve verore. Sipas, tij pas vlerësimit të situatës është vendosur që të organizohet më vonë një takim, po që të jetë, siç e ka quajtur ai, i mirë.

“Kur të mbahet takimi i ardhëm të jetë më dryshe për shkak se takimet e fundit kanë qenë të vështira. Takimet e ardhshme duhet të jenë më të gjera. Dialogu nuk ka të bëj me Kosovën por me marrëdhënien mes Kosovës dhe Serbinë. U takon dy liderëve që të përcaktojnë se çka është normalizimi për ta. Ata duhet të punojnë që të kuptojnë se çka do të thotë normalizimi. Ne do të intensifikojmë takimet dhe ata janë gati, kjo është shumë e rëndësishme”, ka deklaruar Lajçak.

Lajçak tha se nuk do të humbas kohë për takimin e ardhshëm në mes dy liderëve, Kurti e Vuçiq.

“Qoftë në fund të gushtit, qoftë në fillim të shtatorit”, tha Lajçak.