Kurti takoi deputetin e Kuvendit të Serbisë, Shaip Kamberi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot në takimin që pati me deputetin shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi bisedoi lidhur me rrjedhat aktuale politike.

Sipas Zyrës së Kryeministrit, foli për takimin e kësaj jave të nivelit të lartë të dialogut në Bruksel dhe qëndrimin e Qeverisë së Kosovës.

Ndërkaq, thuhet se deputeti Kamberi e njoftoi kryeministrin me zhvillimet e fundit në Luginë të Preshevë.

“Ai theksoi se bashkë me deputetët boshnjak të SDA ka inicuar pesë projektligjeve ndër të cilat ai për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të pakicave; për selitë dhe territorin e gjykatave; për ndryshimin e ligjit për përdorimin e simboleve kombëtare; për ndryshimin e Rregullorës së parlamentit ashtu që listat e pakicave të kenë mundësinë e krijimit të grupit parlamentar me tre deputet e jo me pesë siç kërkohet për partitë qëndrore, si dhe projektrezolutën për Srebrenicën” – ka njoftuar Kryeministria.

Kamberi theksoi se “fatkeqësisht këto iniciativa po pengohen nga kreu i parlamentit të Serbisë duke mos u futur në rend të ditës as edhe për t’u diskutuar”.

Tutje thuhet se kryeministri e përgëzoi deputetin Kamberi për angazhimin dhe vendosmërinë dhe i ofroi mbështetjen e plotë për afirmimin e pozitës së shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.