Foto: ZKM

Kurti takoi ambasadorin e BE-së dhe ambasadoren e Francës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim ambasadoren e Republikës së Francës në Kosovë, Marie Christine Butel.

Sipas një njoftimi të Qeverisë së Kosovës, Kurti ka shprehur falënderimet dhe mirënjohjen për pritjen me nderime të larta nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në pallatin Elysée, ndërsa ambasadorja Butel e vlerësoi takimin e 23 qershorit si përmbajtjesor.

“Të arriturat kryesore të Qeverisë në këta tre muaj, puna drejt reformave thelbësore, forcimi i shtetit të së drejtës si dhe zhvillimi ekonomik e shoqëror i Kosovës, ishin mes temave të diskutuara në këtë takim miqësor ndërmjet kryeministrit Kurti dhe ambasadores Butel”, thuhet në njoftim.

Kurti sot gjatë ditë ska takuar edhe ambasadorin e BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.

“Kurti e njoftoi ambasadorin për progresin e shënuar në këta tre muaj, që ka hedhur bazat për reforma afatgjata dhe shtet të drejtë e zhvillimor. Formalizmi gradual i ekonomisë dhe intervenimet përmes pakos financiare për ringjallje ekonomike u veçuan si faktorë kryesorë të rritjes së të hyrave buxhetore për 30%, rritjes së aktivitetit ekonomik për 15% dhe eksportit për 66%”, thuhet në njoftim.

Gjatë takimit mes tjerash thuhet se u bisedua edhe për sektorin e energjisë në vend, riparimet e nevojshme të termo-elektranave, si dhe prioritetet dhe përkushtimin ndaj të gjitha komuniteteve pakicë në Kosovë.