Foto: Kuvendi i Kosovës

Konjufca takohet me deputetin gjerman, flasin për zhvillimet politike në vend dhe rajon

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim deputetin Michael Roth, njëherësh kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme në Bundestagun gjerman.

Gjatë takimit ata biseduan për zhvillimet politike në vend dhe rajon, proceset integruese, mundësitë e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave parlamentare, si dhe çështje të tjera me interes të përbashkët.

Sipas njoftimit, Konjufca i shprehu mirënjohje deputetit Roth për mbështetjen që Gjermania i ka dhënë dhe vazhdon t’i jap Kosovës në të gjitha fazat e shtetndërtimit e të integrimit në institucionet euro-atlantike dhe organizata e mekanizma ndërkombëtarë.

“Duke i vlerësuar të shkëlqyera marrëdhëniet dypalëshe, Kryetari i Kuvendit po ashtu theksoi se Gjermania mike është aleat strategjik dhe partner i rëndësishëm i Republikës së Kosovës. Njëkohësisht ai shprehu gatishmërinë për forcimin e mëtejmë të bashkëpunimit të ndërsjellë dhe e vlerësoi shumë të rëndësishme përkrahjen e Gjermanisë kundrejt proceseve të cilat i ka përpara shteti ynë”- thuhet në njoftim.

Deputeti dhe kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme në Bundestagun gjerman, Michael Roth, e falënderoi kryetarin Konjufca për pritjen, duke rikonfirmuar mbështetjen e Republikës Federale të Gjermanisë për Republikën e Kosovës.

Konjufca në këtë takim ishte i shoqëruar nga shefi i kabinetit, Ilir Kërçeli dhe këshilltarët.