Albin Kurti, Foto: Zyra e Kryeministrit të Kosovës

Kurti përkujton masakrën e Rahovecit, në të cilën u vranë 150 civilë shqiptarë

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka përkujtuar masakrën në Rahovec duke thënë se krimet e Serbisë në Kosovë nuk mund të zhduken e as harrohen.

“Më 19 korrik 1998, ushtria dhe polica serbe vrau, dogji, plagosi, rrahu e maltretoi, mori peng dhe zhduku me dhunë civilë shqiptarë të Rahovecit. Ekzekutimet vijuan për disa ditë me radhë. U masakruan edhe fëmijët, gratë dhe pleqtë që ishin strehuar në Teqenë e Sheh Myhedinit. Në përpjekje të fshehjes së krimeve, forcat serbe hapën dy gropa të mëdha në Rahovec dhe i hodhën një pjesë të shqiptarëve të vrarë gjatë kësaj masakre” – ka shkruar kryeministri Kurti.

“Me angazhimin institucional për adresimin e të gjitha krimeve të kryera gjatë luftës në sistemin e drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare, përkujtojmë 150 civilët e vrarë nga forcat serbe në masakrën e Rahovecit”- ka theksuar ai.

Kurti ka thënë se qeveria e tij është duke themeluar Institutin e Krimeve në mënyrë që e kaluara të mos harrohet.

“Nuk mund të zhduken e as harrohen krimet e kryera nga autoritetet e Serbisë urdhërdhënëse e ekzekutore. Për dokumentimin e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe veprimeve gjenocidale të Serbisë, po themelojmë Institutin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë. Një zotim i yni ndaj kujtesës sonë si popull dhe ndaj kërkesës sonë për drejtësi” – ka shkruar tutje ai.

Javën e kaluar, Kuvendi miratoi në lexim të dytë Projektligjin për Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës së Kosovës.

Ky projektligj i përbërë prej gjithsej katërmbëdhjetë neneve është përpiluar me qëllim të themelimit të Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë i cili do të jetë risi për shtetin tonë.

Kjo është hera e parë që në Kosovë do të themelohet një institut i tillë, i cili për qëllim ka dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë nga 1 janari i vitit 1998 deri në 20 qershor të vitit 2000.

Çfarë parasheh projektligji për Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës?