Ilustrim

Çfarë parasheh projektligji për Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës?

Kuvendi i Kosovës javën e kaluar miratoi në lexim të dytë Projektligjin për Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës së Kosovës.

Ky projektligj i përbërë prej gjithsej katërmbëdhjetë neneve është përpiluar me qëllim të themelimit të Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë i cili do të jetë risi për shtetin tonë.

Kjo është hera e parë që në Kosovë do të themelohet një institut i tillë, i cili për qëllim ka dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë nga 1 janari i vitit 1998 deri në 20 qershor të vitit 2000.

24 vite nga lufta e fundit Kosova akoma përballet me sfida në ndjekjen e krimeve të kryera gjatë kësaj luftën dhe vënien para drejtësisë së autorëve të këtyre krimeve.

Në gjykatat e vendit ka një numër shumë të vogël të akuzave për krime lufte të cilat aktualisht po gjykohen.

Duke pasur parasysh se gjeneza e problemit të një situate të tillë mund të jenë ngecjet në fazën e hetimeve, projektligji në fjalë ka potencial që të japë një shtysë shumë të madhe ndaj hetimit të suksesshëm të krimeve të kryera gjatë luftës.

Kjo vjen si rrjedhojë e faktit se një prej funksioneve kryesore të institutit do të jetë pikërisht dokumentimi i krimeve të luftës, të dhëna të cilat do të jenë të qasshme nga organet e drejtësisë, aty ku hyn edhe prokuroria si organi me monopolin e hetimeve.

Dokumentimin e krimeve të luftës ky institut do ta bëjë nga aspekti historik, ushtarak, ekonomik, juridik, ekologjik, kulturor, mjeko–ligjor dhe sociologjik dhe do të krijojë fondin arkivor si dhe përgatitjen e të dhënave statistikore.

Lidhur me këtë do të bëjë grumbullimin e të dhënave të sakta për humbjen e njerëzve, dëmet fizike, emocionale si dhe pronësore e kulturore.

Të dhënat e mbledhura nga ky institut do të jenë të qasshme për publikun, viktimat si dhe palët e interesuara.

Gjithmonë, qasja e tillë është e kufizuar nga korniza ligjore për mbrojtjen e të dhënave personale dhe parimi i mbrojtjes së të dhënave.

Këto të dhëna instituti gjithashtu i ofron ndaj institucioneve me të cilat do të ketë bashkëpunim, të cilat janë ato me fushëveprim të ngjashëm, organet e drejtësisë, organizatat joqeveritare e qeveritare, personave juridik si dhe atyre fizik.

Lidhur me të dhëna, instituti është i bazuar në parimin e konfidencialitetit, sipas të cilit identiteti dhe të dhënat personale të palëve ruhen dhe përpunohen në mënyrë që të garantojnë siguri.

Për më tepër, instituti do të identifikojë viktimat e krimit, përgjegjësit e krimit si dhe kohën, vendin dhe rrethanat në të cilat janë kryer krimet.

Instituti përmes fushatave hulumtuese në teren do të mbledhë audio, fotografi, video incizime si dhe do të intervistojë dëshmitarëve me qëllim të mbledhjes së dëshmive.

Gjithashtu ky institut do të hedhë dritë edhe mbi dhunën seksuale me ç’rast do të hartojë procedura të veçanta për dokumentimin e rasteve të kësaj forme të dhunës.

Po ashtu në fokus do të jenë edhe monumentet kulturore, historike dhe fetare ku ky institut do të dokumentojë dëmet e shkaktuara ndaj tyre gjatë kohës së luftës.

Sipas projektligjit fushëveprimit të këtij instituti nuk do t’I mungojë edhe fushatat vetëdijësuese dhe informuese për publikun.

Sipas projektligjit, ky institut do të jetë në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë në formë të agjencisë ekzekutive.

Instituti i tillë do të udhëhiqet dhe përfaqësohet nga drejtori ekzekutiv i cili hynë në kategorinë e nëpunësit civil e që për punën dhe veprimtarinë e institutit i përgjigjet Ministrisë së Drejtësisë.

Drejtori ekzekutiv ka për detyrë që të propozojë planin dhe raportin vjetor të performancës së Institutit, menaxhimin e burimeve njerëzore, menaxhimin e buxhetit si dhe lidhjen e kontratave në emër të institutit.

Vlen të theksohet se ky institut me kryerjen e veprimtarisë së vet, do të bazohet në gjashtë parime të sistemit të drejtësisë.

Këto janë parimi i ligjshmërisë, i pavarësisë dhe paanshmërisë, i transparencës, i mbrojtjes së të dhënave, parimi i mosdiskriminimit si dhe parimi i konfidencialitetit.

Instituti për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë pritet të themelohet me hyrjen e këtij ligji në fuqi.