Kurti pas takimit me Escobarin dhe Lajçakun: Nga dialogu Kosovë-Serbi duhet të përfitojnë qytetarët e dy shteteve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me zëvendësndihmës sekretarin e ShBA-së, njëherit përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se nga dialogu i ndërmjetësuar nga BE duhet të përfitojnë qytetarët e të dy shteteve.

Kurti ka thënë se e mbështet procesin e bisedimeve në Bruksel.

Shefi i Qeverisë kosovare tha se do t’u përgjigjet të gjitha kërkesave dhe nevojave të qytetarëve të Kosovës, duke potencuar edhe qytetarët serbë.

“Unë jam kryeministër i të gjithë qytetarëve pa dallim, prandaj jam i gatshëm që t’u përgjigjem të gjitha kërkesave dhe nevojave të qytetarëve të Kosovës, edhe të qytetarëve serbë, me ç’rast do të marrim praktikat më të mira aktuale edhe të Kosovës, por edhe të Bashkimit Evropian, e duke pasur në vëmendje edhe praktikat dhe mënyrat të cilat i zbaton Serbia sepse nuk duhet të kemi askund qytetarë apo komunitet që janë të privilegjuar e diku tjetër të diskriminuar”, tha Kurti gjatë konferencës për media.

Ndërsa përfaqësuesi i BE-së, Mirosllav Lajçak, u shpreh se kjo është vizita e shtatë në Kosovë sa i përket dialogut Kosovë- Serbi.

Sipas tij, kjo vizitë e përbashkët me përfaqësuesin e ShBA-së, Gabriel Escobar, është një mesazh se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian punojnë së bashku për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Lajçak u shpreh se do të qëndrojnë këtu deri të mërkurën.

“Jemi këtu me kolegun Escobar për të dhënë mesazh se BE dhe ShBA punojnë krah për krah për procesin e dialogut., tha Lajçak.

Ai tha se vizita në Kosovë dhe Serbi do t’u ndihmojë që të kenë një pasqyrë të qartë se “çfarë do të presim në të ardhmen dhe si do ta çojmë përpara këtë proces”.

“Jam i lumtur që kjo vizitë veçse ka ofruar një mundësi për të diskutuar për planet tona në javët dhe muajt e ardhshëm me presidenten dhe kryeministrin dhe ne do të vazhdojmë diskutimet tona”, tha më tutje Lajçak.

Kurse Gabriel Escobar u shpreh se shteti i tij e mbështet pavarësinë e Kosovës.

“Për Kosovën dhe rajonin, ne e shohim këtë zonë si një mundësi të jashtëzakonshme me energji të jashtëzakonshme. Ju jeni evropianë, ekonomikisht, historikisht dhe kulturalisht jeni evropianë dhe ne kemi punuar me kolegët tanë evropianë për t’u siguruar se ata e njohin që Ballkani Perëndimor është një mundësi e jashtëzakonshme për ta dhe jo rrezik”, u shpreh Escobar.

“Në këtë kuptim, ne inkurajojmë të gjitha palët që ta shohin Ballkanin Perëndimor si anëtarë potencialë të BE-së në të ardhmen, që të gjitha ata në paqe me njëri-tjetrin, që të gjithë produktivë dhe anëtarë të aftë, ashtu siç i kemi parë ne si partnerë bilateralë. Shpresa kryesore për këtë është përmes dialogut”, u shpreh më tutje ai.

Escobar tha se dialogu ka mbështetjen tonë të plotë dhe duhet të udhëhiqet nga BE-ja sepse ka të bëjë me Evropën.

Mirëpo ai tha se Kosova do të vazhdojë të jetë mik i ngushtë me ShBA-në sepse sipas tij është një partneritet trans-atlantik.