Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Foto: ZKM

Kurti pas miratimit të Projektligjit për Fondin Sovran: E vendosëm Kosovën në hartën financiare të rajonit dhe Europës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas miratimit të Projektligjit për Fondin Sovran në Kuvendin e Kosovës me 62 vota pro, asnjë kundër e asnjë abstenim, në seancën plenare të së premtes.

Para se të votohej ky Projektligj u votuan 47 amandamente të tij. 

Sipas kryeministrit Kurti, ka pasur një punë të gjatë ekipore në konceptin dhe Ligjin për Fondin Sovran, në bashkëpunim me donatorët, ekspertët dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë që e kanë mbështetur këtë projekt.

‘’Me këtë vendim e vendosëm Kosovën në hartën financiare të rajonit dhe të Evropës dhe vumë bazën për krijimin e një trashëgimie për gjeneratat e ardhshme. Fondi Sovran do të punojë që t’i forcojë ndërmarrjet publike të vendit dhe ato t’i shndërrojë në korporata të fuqishme të vendit dhe më tej’’ – ka shkruar kryeministri Kurti në profilin e tij në Facebook.

Më tej, Kurti ka shtuar se Fondi Sovran do të sjellë një cikël të ri investimesh në vend duke e lidhur Kosovën me tregjet botërore financiare dhe duke e ngritur dhe shtuar qarkullimin e kapitalit investiv për gjithë ekonominë e vendit. 

‘’Ligji është vetëm hapi i parë, meqë Qeverinë e presin punë të shumta në ndërtimin e strukturës organizative të Fondit Sovran dhe në thellimin e reformave në sektorin publik për përgatitjen e ndërmarrjeve që do të inkorporohen si asete të Fondit Sovran’’ – ka theksuar Kurti.

Kurti ka përfunduar duke thënë se do të vazhdojnë të punojnë me ekspertët e vendit dhe ata ndërkombëtarë dhe të mësojnë nga përvojat më të mira ndërkombëtare të fondeve sovrane në Europë dhe në botë, por edhe në nismën për krijimin e kornizës ligjore për tregun e kapitalit në Kosovë.