Foto: Albin Kurti, Facebook
Kurti: Nuk kam ndryshuar unë, por sytë tuaj, ju po këqyrni ndryshe
_____________________________________________________________________________
Kryeministri Albin Kurti në seancën e Kuvendit që po vazhdon të mbahet edhe pas mesnatës u është përgjigjur deputetëve të opozitës për disa nga kritikat e tyre karshi tij.
I kritikuar se ka ndryshuar qëndrimet e tij pas ardhjes në Qeveri, Kurti tha se nuk ka ndryshuar ai përmbajtësisht për të keq, por opozita ka ndryshuar deklarativisht për të mirë.
Për këtë ndryshim deklarativ të opozitës, ai tha se është rezultat i Vetëvendosjes.
“Konkretisht këto sulme që i përjetova, veç po i përmend disa deputetë, Blerta Deliu – Kodra, Arben Gashi, Armend Zemaj, Anton Quni, këta më 27 qershor 2013 e kanë votu “Zajednicën” këtu” – tha Kurti.
Ai më vonë përmendi edhe deputeten Ganimete Musliu, të cilën tha se ka harruar ta përmend.
“Nuk kam ndryshuar unë, por sytë tuaj. Ju po këqyrni ndryshe” – shtoi kryeministri.
Koncepti, qëllimi e kuptimi, nuk kanë ndryshuar sipas tij, ndërsa strategjia se si dislokojnë forca, e si i rendisin argumentet po. Kjo tha se ka ndodhur për shkak të trashëgimisë së qeverive.
“Për atë qysh jam unë. Nga karakteri nuk isha bo. Krejt strategjitë që më është dashtë me i zhvillu është në masë të konsiderueshme pasojë e trashëgimisë së ish-qeverive” – vazhdoi Kurti.
Krejt në fund të fjalimit të tij, ai pati edhe një përgjigje tjetër për opozitën.
“Unë besoj që për opozitarizëm ekzistojnë dy mënyra. E para është e kritikës racionale, e dyta është e zemërimit revolucionar, bën edhe të dyja, por unë te ju nuk po e shoh asnjërën” – përfundoi i pari i ekzekutivit.