Kurti në Lybeniq: Jemi shtet që nuk i harron e as nuk i falë krimet e kryera nga Serbia

Në 25-vjetorin e masakrës së Lybeniqit të Pejës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se kjo masakër ka dëshmi dhe dëshmitarë, pjesë e të cilëve janë vet të mbijetuarit e masakrës, banorët e Lybeniqit dhe të fshatrave përreth.

Ai shtoi se këta dëshmitarë kanë “parë e përjetuar skenarin e krimit të ushtarëve serbë të cilët ndanë gratë, fëmijët dhe të moshuarit, dhe i urdhëruan të niseshin për në Shqipëri, kurse burrat i mbajtën aty”.

“Xhamia e Lybeniqit atë ditë u kthye në një vend krimi, kur ushtarët e Serbisë shtinë me armë automatike me rafalë të përsëritur, me qëllim që askush, prej të gjithë atyre burrave të mos shpëtonte i gjallë. Nën pirgun e kufomave, mbijetuan 7 burra, kurse u vranë 59 burra të familjeve: Alimehaj, Ukshinaj, Huskaj, Hamzaj, Bobi, Shoshi, Morina, Jahmurataj, Avdullahaj, Bushati, Sylaj, Haradinaj, Rrustemaj, Lokaj, Rexhaj, Tahiraj dhe Berisha”- tha kryeministri Kurti.

Ai përkujtoi edhe 7 prillin e vitit 1999 kur në bjeshkët e Lybeniqit, ushtarë serbë vranë dhjetë anëtarë nga familjet Alimehaj, Ukshinaj dhe Bobi, në mesin e tyre ishin dy fëmijë, dy dhe pesë vjeç, dhe një grua shtatzënë.

“Lybeniqi i Pejës ishte shënjestruar nga regjimi kriminal i Beogradit dhe ishte përfshirë në gjeografinë e krimeve të luftës shumë herët, që më 25 maj të vitit 1998, kur policë të Serbisë i vranë nëntë burra”, – tha Kurti

Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e  avancimit të kornizës ligjore për adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës për të mundësuar gjykimin në mungesë të kriminelëve të luftës.

Po ashtu përmendi ndarjen e mjeteve për fuqizimin e Prokurorisë Speciale dhe ngritjen e Drejtorisë së Hetimit të Krimeve të Luftës me 41 hetues në kuadër të Policisë së Kosovës.

Më tej, duke ritheksuar se “jemi një shoqëri dhe një shtet që nuk i harron as nuk i falë krimet e kryera nga Serbia në Kosovë, kryeministri Kurti u zotua që në këtë rrugë do të shkoj deri në fund sepse shteti i Serbisë dhe kriminelët e luftës, nuk do të munden t’u shpëtojnë përgjegjësive institucionale dhe individuale për krimet dhe gjenocidin e kryer mbi shqiptarët e Kosovës”.

“Qeveria e Republikës së Kosovës dhe unë personalisht si Kryeministër i saj, në vazhdimësi i kam inkurajuar dhe kam bashkëpunuar me shumë institucione dhe mekanizma shtetëror, për dokumentimin, memorializimin dhe adresimin e gjithë historisë dhe trashëgimisë së luftës në Kosovë”, përfundoi ai.