Foto: ZKM

Kurti: Janë identifikuar 45 persona që kanë marrë pjesë në sulmet në veri

45 persona që dyshohet se kanë marrë pjesë në sulmet kundër ushtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës e gazetarëve në veri të Kosovës, janë identifikuar nga organet e rendit.

Kështu deklaroi sot kryeministri i Kosovës Albin Kurti, teksa shtoi se të njëjtit kanë shkaktuar rrezik të përgjithshëm.

“Deri më sot janë identifikuar gjithsej 45 persona, identifikim i saktë që kanë marrë pjesë në sulme në dhunë kundër ushtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve dhe kanë shkaktuar rrezik të përgjithshëm duke përdorur armatim” – tha kryeministri Kurti.

Kurti tha se kjo nuk ka të bëjë më popullsinë serbe, të cilët ai i quajti paqësor.

Sipas tij, janë dhjetëra kriminelë që janë përfshirë në veprime kriminale edhe më herët se tensionet e majit 2023.

“Është një situatë në të cilën ka shumë kriminelë, kjo s’ka të bëjë me popullsinë serbe, ajo është paqësore, mirëpo janë këta dhjetëra kriminelë të spikatur që dhunën e parë nuk e kanë bërë as më 26 maj e as më 29 maj në Zveçan por shumë më herët. Kjo nuk do të thotë që nuk ka edhe më shumë”- shtoi ai.

Javën e kaluar, Qeveria e Kosovës i shpalli organizata terroriste organizatat ‘Mbrojtja Civile’ dhe ‘Brigada e Veriut’.

Partnerët ndërkombëtarë deklaruar se nuk kanë qenë të njoftuar dhe s’ka pasur dakordim paraprak për këtë vendim të Qeverisë së Kosovës.

Kreu i ekzekutivit tha se qytetarët serbë janë më të frikësuarit nga këta kriminel.

Deri më tani Policia e Kosovës ka arrestuar pesë persona që dyshohet se janë përfshirë në sulmet gjatë tensioneve në veri të Kosovës, Millun Millenkoviq (Llune), Nemanja Vllaskoviq, Dalibor Spasic, Urosh Vukasinoviq, Nenad Orlovic (Rusi).

Tensionet në veri të Kosovës nisën më 26 maj 2023, kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, hynë në ndërtesat komunale me asistimin e Policisë. Për të kundërshtuar këtë, serbët kanë mbajtur protesta. Më 29 maj, nga përplasja e protestuesve me pjesëtarët e KFOR-it kanë mbetur të lënduar dhe plagosur 30 pjesëtarë të KFOR-it. Po ashtu, është raportuar për lëndimin e dhjetëra protestuesve serbë.

Shtensionimi i situatës, zgjedhjet e reja dhe rikthimi në dialog janë tri pikat e përmendura nga ndërkombëtarët si kërkesa për Kosovën dhe Serbinë.

Qeveria e Kosovës shpallë si organizata terroriste organizatat ‘Mbrojtja Civile’ dhe ‘Brigada e Veriut’