Foto: Albin Kurti, Facebook

Kurti flet për aktivitetet gjatë qëndrimit në Francë, Austri e Spanjë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë detaje për vizitat e fundit në Francë, Austri e Spanjë.

Pjesëmarrjen në dy forume dhe një kongres të mbajtur në gjashtë ditë, Kurti e ka përshkruar përmes një shkrimi në Facebook.

Ai ka thënë se ka zhvilluar diskutime të shumta mbi zhvillimet në vend, qeverisjen e mirë, progresin, dhe ofertën për investitorë të huaj.

“Në Paris, me zëvendëskryeministren Donika Gërvalla ishim në mesin e liderëve e krerëve të shumtë të shteteve e qeverive pjesëmarrëse në Forumin e Paqes”- ka thënë Kurti.

Ndërsa ka shtuar se në  Vjenë, në edicionin jubilar të 20-të të Forumit Ekonomik të Vjenës, Republika e Kosovës pranoi Çmimin Vjetor “Partneri i Vitit 2023” për bashkëpunimin dhe kontributin 15-vjeçar në zhvillimin ekonomik në nivel kombëtar dhe rajonal.

Po ashtu ai ka përmendur vizitën në Malaga të Spanjës.

“Së bashku me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe zëvendësministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti morëm pjesë në Kongresin e Partisë së Socialistëve Evropianë (PES), për të shënuar anëtarësimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në këtë familje të rëndësishme politike”- ka shkruar Kurti në Facebook.

Ai po ashtu ka shpërndarë fotografi nga këto vizita.