Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurti: Dialogu i deritanishëm krijonte iluzion se Kosova dhe Serbia janë në binar të normalizimit të raporteve

Kryeministri Albin Kurti pak ditë para se të niset për në Bruskel për t’u takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, iu është drejtuar deputetëve të Kosovës mbi procesin e deritanishëm të dialogut, duke treguar kështu se çfarë ka ndodhur deri më tani në këtë proces.

“Gjatë këtyre dy fazave janë nënshkruar një sërë dokumentesh të cilat kanë marrë emërtime të ndryshme, të cilat jo domosdoshmërishtë burojnë nga rëndësia e dokumentit apo fushës që e rregullon. Për dokumentet e nënshkruara e nganjëherë të panënshkruara, publike e jo publike janë përdor emërtime të ndryshme si marrëveshje, konkluzione të dakorduara, konkluzione të kryesuesit, memorandume të mirëkuptimit e të ngjashme”, tha ai.

Kurti tha se numri i marrëveshjeve të nënshkruara varion nga 15 në 53, duke lënë të kuptohet se ky numër i madh i marrëveshjeve ka krijuar iluzion për përmirësim të situatës.

“Krijohej një iluzion që dialogu kishte vendosur Kosovën dhe Serbinë në binarë të duhur të normalizimit dhe shtensionimit të situatës, kjo pastaj kishte ndikuar në ushqimin e idesë se mund të vazhdohej me një tajitim të fragmentuar të problemeve për çështje kryesisht të brendshme dhe shmangie nga tema e marrëveshjes përfundimtare”, tha Kurti.

Kryeministri Kurti kritikoi edhe marrëveshjen e asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe e cila sipas tij nuk ishte paraqitur ashtu siç është në realitet.

“Te marrëveshja për asociacionin ishte raportuar që pala Serbe ishte dakorduar që asociacioni të themelohet krejtësisht në përputhje me Kushtetutën, poashtu thuhej që asociacioni nuk ka karakter një etnik dhe kjo mbështetet me arsyetimin se në komunat që pritej të jenë pjesë e asociacionit jetonin edhe nacionalitete tjera përveç ati serb”, tha Kurti.

“Për të njëjtën marrëveshje pretendohej se i kanë dhënë fund ndarjes së qytetit të Mitrovicës si dhe orgnizimeve ilegale të Serbisë në Veri të vendit, e gjithë kjo pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese mbi mospërputhshmërinë mes dokumentit dhe Kushtetutës”, shtoi ai.

Kurti përmendi disa nga marrëveshjet për të cilat sipas tij pala serbe nuk ka lejuar të kenë sukses në zbatim.

“Pala Serbe vazhdimisht i ka minuar përpjekjet e përbashkëta për sukses, kjo vërehet tek një numër i madh i marrëveshjeve, si për shembull te energjia, menaxhimin i integruar i kufirit, shuarja e strukturave paralelë, liria e lëvizjes, vulat doganore përfaqësimi rajonal”, tha ai.

“Cilat duhet të jenë mësimet kryesore nga ecuria e deritanishme e procesit të dialogut. Njohja reciproke njohja nga 5 shtetet e BE, anëtarësimi në Kombet e Bashkuara etj. Palët duhet të ndihen të barabarta në secilën fazë të diskutimeve. Le të sillemi e veprojmë siç jemi. Shtet i pavarur e sovran nuk i kemi borxh askujt po na kanë borxh shumëçka”, tha Kurti.

Në dhjetor të 2015, BIRN dhe Internews Kosova kishin publikuar raportin e “Big Deal”, në të cilin ishte analizuar dhe monitoruar implementimi i marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë të dala nga procesi i dialogut në Bruksel.

Këtu mund ta gjeni raportin e vitit 2015 për implementimin e marrëveshjeve.