Foto: ZKM

Kurti dhe Begaj flasin për shtimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe mbrojtjes 

Në 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj.

Kurti e ka falënderuar presidentin Begaj për ndihmën e vazhdueshme të Shqipërisë për Kosovën para e gjatë luftës dhe pas çlirimit.

“Mirënjohje ndaj Shqipërisë shprehu edhe për përkrahjen në rrafshin ndërkombëtar, votën dhe avokimin për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe rolin e përfaqësuesve të Shqipërisë në takime e organizata të rëndësishme në të cilat Kosova ende nuk është anëtare”- thuhet në njoftim.

Ndërsa, Begaj u shpreh se Shqipëria ishte, është e do jetë gjithmonë përkrah Kosovës.

Ata bashkëbiseduan për arritjet e përbashkëta.

Ndërsa kanë theksuar shtimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimeve në fushën e arsimit, po edhe në fushën e mbrojtjes.

“U veçua projekti i Hekurudhës Prishtinë-Durrës, për të cilin kryeministri Kurti tha se është projekti më i rëndësishëm i dekadës. Ndërkohë, bashkëpunimi ndërshtetëror po thellohet me zbatimin e marrëveshjeve ndërqeveritare”- thuhet në njoftim.

Begaj ka marrë pjesë në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, e organizuar në shënim të 25-vjetorit të çlirimit të vendit.

Ai i ka uruar qytetarët e Kosovës për këtë ditë historike, duke bërë thirrje që shqiptarët të jenë të bashkuar kundrejt fushatës së Serbisë, e cila i ka mobilizuar të gjitha kapacitetet për ta njollosur luftën e drejtë të shqiptarëve.