Kurti konfirmon pjesëmarrjen në takimin e 26 qershorit me Vuçiqin në Bruksel

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet të takohen në Bruksel më 26.06.2024, për të zhvilluar rundin e ri të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu tha se Kurti do të marrë pjesë në këtë takim.

“Me ftesë të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, Kryeministri i Republikës së Kosovës do të marrë pjesë në takimin e radhës të nivelit të lartë në kuadër të procesit të dialogut, i cili është paraparë për javën tjetër, më 26 qershor”- ka thënë ai për KALLXO.com.

Kryeziu ka njoftuar se në fokus të takimit do të jetë zbatimi i marrëveshjes bazike.

“Në fokus kryesor ky takim do të ketë zbatimin e marrëveshjes bazike dhe aneksit të saj, dhe rrugën përpara”- ka thënë tutje ai.

Nga Bashkimi Europian kanë konfirmuar për KALLXO.com se një takim i nivelit të lartë i dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja do të mbahet në Bruksel të mërkurën e ardhshme (26.06.2024).

“Mund të konfirmojë se një takim i nivelit të lartë i dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja Beograd-Prishtinë do të mbahet në Bruksel të mërkurën e ardhshme. Presidenti i Serbisë dhe kryeministri Kurti do të përfaqësojnë palët përkatëse dhe takimi do të drejtohet nga Lehtësuesi – Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell, i mbështetur nga Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialog, Miroslav Lajçak”- thuhet në përgjigjen e BE-së.

Për herë të fundit, Kurti dhe Vuçiq u takuan në Bruksel më 14 shtator të vitit 2023, kur diskutuan për zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve, por ky takim rezultoi pa ndonjë përparim, për shkak të qëndrimeve kontradiktore të palëve.

Kurti dhe Vuçiq pritet që të takohen më 26 qershor