Rikthimi në dialog: Çka pret opozita nga përballja e radhës Kurti - Vuçiq?

Pas më shumë se 10 muajsh “pauzë në dialog”, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, javën tjetër pritet të takohen për të zhvilluar rundin e ri të bisedimeve për normalizim të marrëdhënieve mes dy shteteve.

Takimi radhës i nivelit të lartë të Kosovës dhe Serbisë i thirrur nga Bashkimi Europian pritet të mbahet më 26 qershor 2024.

Nga zyra e kryeministrit Albin Kurti njoftuan se fokusi kryesor i takimit do të jetë zbatimi i Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve, përkatësisht Aneksi për zbatimin e saj “dhe rruga përpara”.

Lidhur me ketë çështje, përfaqësues të grupeve parlamentare opozitare në Kuvendin e Kosovës nuk shprehen optimist.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu – Shoshi, në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se nuk pret rezultat pozitiv për Kosovën.

“Nga takimi i 26 qershorit shpresoj që nuk do të diskutohen e bëhen pjesë e dialogut çështjet e brendshme te Republikës se Kosovës siç ka ndodhur në këtë mandat të qeverisjes Kurti. Nuk pres ndonjë rezultat pozitiv për ne si shtet”- është shprehur shkurt ajo.

Edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj thotë se nuk pret ndonjë risi nga ky takim.

Në një prononcim për KALLXO.com, ai tha se nga kjo parti mendojnë se takimi i 26 qershorit do të jetë i rëndomtë.

Kjo, sipas tij, për faktin se Përfaqësuesi e Lartë i BE-së, Josep Borrell dhe emisari Mirosllav Lajçak e kanë të mbaruar mandatin e tyre në procesin e dialogut.

“Rrjedhimisht nuk do të këtë presion në formën ‘Merre ose leje'”- ka deklaruar Lekaj.

Ai ka thënë se Kurti e ka marrë me sportivitet dhe humor çështjen e dialogut.

“Kosova, fatkeqësisht gjatë dialogut është përfaqësuar nga persona jokompetent dhe jo të aftë e të fortë për të mbrojtur vendin. Ekipi dialogues është dashur të këtë diplomatë me përvojë të gjatë në karrierë, njohës e akademikë të vendit, figura të partive politike e njerëz që do të dinin të mbronin Kosovën në tavolinën negociuese. Kryeministri Kurti e ka marrë me sportivitet dhe humor çështjen e dialogut, ku natyrisht kemi rezultate të tilla në dëm të Kosovës dhe të ardhmes së qytetarëve”- ka theksuar ai.

Kritika për kryeministrin Kurti lidhur me rrjedhën e procesit të dialogut ka shprehur edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi.

Sipas saj, kryeministri Kurti po shkon në këtë takim “si kryeministër i ndëshkuar nga Bashkimi Europian, dhe me një përfaqësues të një shteti që ka kryer sulm terrorist në Kosovë dhe sot nuk ka asnjë masë për këtë”.

Ajo thotë se nuk ka informacion për temat që do të diskutohen në këtë takim, por thekson se pala kosovare duhet të kërkoj përgjegjësi nga Serbia për marrëveshjet që nuk po zbatohen.

“Para se të flas për tema të reja [duhet] të kërkojë përgjegjësi për marrëveshjet që i ka negociuar dhe nuk po zbatohen, siç janë marrëveshja për të pagjeturit, marrëveshja për energjinë në veri, pastaj të kërkojë përgjegjësi dhe t’i lirojë të gjithë kosovarët që janë arrestuar nga Serbia, si ish ushtarë të UCK-së”- ka thënë ajo në një prononcim për KALLXO.com.

Sipas Krasniqit, Kurti e ka futur Kosovën në kushtëzime dhe ka bërë marrëveshje të obligueshme për Kosovën, përfshirë Asociacionin.

“Kjo qeveri e ka lidhur çdo proces integrues të vendit përfshirë edhe njohjet e reja me dialogun Kosovë-Serbi. Kjo po i bënë dëm të madh vendit. Dështimi në Këshillin e Europës është veç një veprim i radhës që Kosova nuk mund të bëjë asgjë pa bërë përparim në këtë marrëveshje. Dhe, ky është dështim i kësaj qeverie”- ka thënë ajo.

Edhe Krasniqi u shprehur se nuk pret asgjë nga ky takim.

Lidhur me takimin e radhës në Bruksel ka reaguar edhe ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri.

“Kurti takim me Vuçiqin se shpejti! Kjo me gjasë që Kurti të marrë leje nga Vuçiqi që ta hap Urën mbi lumin Ibër, mbase edhe leje që ta dorëzoj asociacionin te Gjykata Kushtetuese të cilin e shkroi fshehtë prej popullit – përndryshe çka i duhet ky takim kur Vuçiqi s’e lëvizi as gishtin për ta zbatuar njohjen e Kosovës, ndërkohë që pas sulmit ne Banjskë nuk u ndëshkua, ndërkaq Kurti u ndëshkua- tash me heqje graduale të ndëshkimeve qe s’dihen kur hiqen”- ka shkruar ajo në Facebook.

Në mars të vitit 2024, është bërë një vit qëkur në Ohër të Maqedonisë së Veriut, kryeministri kosovar Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq, ranë në ujdi që të zbatojnë Aneksin e Marrëveshjes Bazike që ishte arritur në Bruksel, në ditët e fundit të shkurtit 2023.

Dy liderët u pajtuan që Kosova dhe Serbia të zhvillonin marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën dhe ndër tjera t’i njihnin dokumentet relevante dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës, përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore.

Kosova merrte obligime për t’i zbatuar marrëveshjet e arritura më herët, përshirë atë që e parasheh krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ndërsa Serbia nuk do ta kundërshtonte anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Dhe, me gjithë pritjet se gjërat po merrnin rrjedhë pozitive, zhvillimet e mëvonshme në terren quan procesin në kah krejt të kundërt. E marrëveshja mbeti vetëm në letër.

Për herë të fundit, Kurti dhe Vuçiq u takuan në Bruksel më 14 shtator të vitit 2023, kur diskutuan për zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve, por ky takim rezultoi pa ndonjë përparim, për shkak të qëndrimeve kontradiktore të palëve.

Pak ditë më vonë më 24 shtator 2023, një grup i serbëve të armatosur sulmuan policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit – në veri të Kosovës – duke vrarë një polic. Gjatë përleshjeve që pasuan u vranë edhe tre sulmues serbë.

Kosova e ka akuzuar Serbinë se qëndron prapa sulmit.

Përgjegjësinë për sulmin e kishte marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq ndaj të cilit më 06.12.2023, INTERPOL lëshoi fletëarrest për Radoiçiqin.

Për herë të parë pas këtij sulmi, Kurti dhe Vuçiq u takuan veçmas në Bruksel më 26.10. 2023, me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, zëvendëspresidentin e Komisionit Europian dhe Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, si dhe emisarin Miroslav Lajçak.

Pas takimit kryeministri Kurti tha se ka pranuar nënshkrimin e marrëveshjeve të dakorduara, por sipas tij, Serbia nuk ka qenë e gatshme.

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë u rritën prapë më 01.02.2024, kur Banka Qendrore e Kosovës nisi zbatimin e rregullores së saj që parasheh euron si valutë të vetme për kryerjen e pagesave, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb.

Çështja e dinarit çoi për herë të parë kryeministrin kosovar, Albin Kurti në Këshillin e Sigurimit (OKB), të thirrur nga Vuçiq më 08.02.2024.

Palët u takuan shtatë herë në Bruksel, por nuk arritën të pajtohen lidhur me çështjen e Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës.