Kur do t’i paguajnë faturat e energjisë elektrike qytetarët në veri të Kosovës?
Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) ka njoftuar se nga 1 janar i vitit 2024, në katër komunat në veri të Kosovës ka nisur të regjistrohet energjia elektrike e shpenzuar.
Sipas kryeshefit të KOSTT-it, Evetar Zeqiri, energjia elektrike e konsumuar në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, do të paguhet njësoj sikurse në pjesën tjetër të shtetit.
“Më 1 janar 2024, duke filluar nga 00:01, furnizuesi Elektrosever Sh.p.k, – kompani e licencuar dhe e regjistruar sipas ligjeve të Republikës së Kosovës – ka filluar të nominojë energjinë për katër komunat e veriut. Pra ka filluar të marrë përgjegjësinë për konsumin e energjisë në veri. Pas më shumë se 20 vjetësh, energjia e konsumuar në pjesën veriore do të paguhet njësoj sikurse në pjesën tjetër të territorit të vendit”- ka thënë Zeqiri në postimin e tij në Facebook.
E vendimin për faturimin e energjisë elekrike në veri të Kosovës e mirëpresin qytetarët e kësaj zone.
“Mendoj që ky vendim ish dashtë të merret më moti. Qe 25 vite s’kemi pagu rrymë, as na e as serbët. Boll kemi kullot- që thojnë. Tash ka ardhë realiteti që me pagu edhe na. Sa jam i informum një herë kena me pagu paushall deri sa të na qesin orët”- ka thënë Synaj Jakupi, banor i Lagjes së Boshnjakëve.
Ymer Fejzullahu, Kryesues i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë ka thënë se shpëndarja e faturave do të bëhet pasi të përfundojë leximi i njehsorëve.
“Sipas legjislacionit në fuqi, furnizuesi është i obliguar që faturat e energjisë elektrike t’i shpëndajë tek të gjithë konsumatorët tek të cilët është kryer leximi i njehsorëve”- ka thënë Fejzullahu.
Synaj Jakupi, banori i lagjes së Boshnjakëve thotë se në këtë lagje asnjë shtëpi nuk ka njehsorë.
“Kur i qesim orat normal duhet me pagu aq sa harxhojmë. Sa jam i informum në Lagjen e Boshnjakëve asnjë shpi nuk ka orë të rrymës”.
Bazuar në përgjigjet nga ZRRE, nëse ndonjë konsumator nuk ka njehsorë të energjisë elektrike dhe matësi i tyre nuk është funksional, atëherë konsumatori duhet të nënshkruajë kontratën për furnizim dhe pastaj KEDS duhet t’ia instalojë apo ndërrojë njehsorin elektrik në mënyrë që konsumatori të ketë matje të shpenzimit të energjisë elektrike.
“Për sa i përket regjistrimit të njehsorëve dhe kontratave të lidhura në mes konsumatorëve dhe Elektroserver, si dhe analizave për sa i përket të njehsorëve dhe pagesave jemi në pritje të raportit nga Elektroserver dhe KEDS”- thuhet në përgjigjet e ZRRE-së.
Në lidhje me pyetjen se si do të matet se sa kanë shpenzuar energji elektrike konsumatorët në katër komunat me shumicë serbe nga ZRRE kanë thënë se kjo do të behët në dakordim me konsumatorin.
“Në përputhje me Rregullën për Kushtet e Përgjithshme të Furnizimit me Energji, Furnizuesi është i obliguar të faturojë dhe arkëtoj pagesat e konsumatorëve. Furnizuesi është i detyruar të sigurojë që konsumatorët të jenë të faturuar për energjinë e shpenzuar me llojin e tarifës të dakorduar me konsumatorin”- thekson Fejzullahu.
Në raportin e Zyrës së Rregullatorit për Energji thuhet se energjia e pafaturuar në katër komunat veriore të Kosovës ka qenë 362 GWh apo 5.85%.
“Humbjet e gjithëmbarshme jo-teknike ndaj kërkesës së përgjithshme në shpëndarje në distriktin e Mitrovicës, përfshirë humbjet në katër komunat veriore të Kosovës, në vitin 2022 kanë qenë 646 GWh, apo 10.42% ndaj kërkesës së përgjithshme në shpëndarje”- thuhet në raportin e ZRRE-së.
Pagesa e faturave parashihet të bëhet në qendrën e specifikuar për arkëtim nga furnizuesi çdo ditë të punës gjatë orëve të përshkruara, ose në ndonjë mënyrë tjetër të specifikuar në faturë apo në kontratën për furnizim.