Kryeziu dhe Hasani përplasen rreth çështjeve kushtetuese, "kontestojnë" profesionalizmin e njëri-tjetrit

Ish-nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Kadri Kryeziu, ka akuzuar ish-kryetarin e këtij institucioni, Enver Hasani, për gjendjen e paqartë kushtetuese që po e përjeton Kosova lidhur me konstituimin e legjislaturës se nëntë të Kuvendit.

Kryeziu përmes një shkrimi të gjatë në Facebook, e akuzoi Hasanin për këtë paqartësi duke marrë si shembull dy vendime të rëndësishme: rastin e Behgjet Pacollit më 2011 dhe atë të Isa Mustafës më 2014 kur u shpall kryeparlamentar nga koalicioni VLAN.

“Ti je fajtori kryesor pse Republika e Kosovës sot duhet të funksionojë në këtë paqartësi të paprecedentë juridike, që jo pak herë rrëshqet deri në kufijtë e absurdit juridik” – shkruan Kryeziu.

Ai ka kritikuar ashpër interpretimet e Hasanit rreth Kushtetutës, duke e akuzuar se ka përdorur Rregulloren e Kuvendit dhe praktikat administrative për të deformuar kuptimin e normave kushtetuese, gjë që, sipas tij, ka bllokuar funksionimin e institucioneve.

“Po, ta them edhe më qartë, ti ke krijuar kushtetutë paralele që dhunshëm ekziston krahas asaj për të cilën kanë votuar përfaqësuesit e popullit,” – ka thënë Kryeziu.

Ndërsa përmes një shkrimi tjetër disa orë më vonë Kryeziu ka thënë se Hasani i është kundërpërgjigjur përmes Gazetës Express.

“Enver Hasani paska deklaruar: Do t’i përgjigjem zotit Kryeziu vetëm me një kusht: nëse është në gjendje ta riprodhojë me gojë, live në ndonjë emision televiziv, krejt këtë shkrim që ka postuar sot”- ka shkruar ai.

Kryeziu në këtë shkrim ka reaguar edhe ndaj kësaj përgjigjeje, duke thënë se e fton që nën moderimin e një gazetari të dëshmuar në neutralitet dhe profesionalizëm, të debatojnë live, pa dorëza e pa filtra.

“Në ndërkohë, derisa ti të mendohesh për ftesën time, dua të them edhe ca gjëra që u kurseva në shkrimin e kaluar. Ti Enver je përgjegjës edhe për faktin që ne sot merremi me gjëra triviale si, a është kushtetues votimi i hapur apo i mbyllur. Një botë e tërë po qesh me ne, sepse ti e ke degraduar Republikën tonë në nivel të përfshirjes dhe përhumbjes në detaje krejtësisht ordinere. Ta rikujtoj shpikjen tënde të radhës, nga viti 2011. Te vendimi e ke shkruar që të gjithë deputetët e kanë obligim të jenë të pranishëm dhe me patjetër të votojnë. Dhe, në artikulime publike, mburreshe me këtë”- ka shkruar tutje Kryeziu.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur ex officio masë të përkohshme lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, krahas kërkesave të dorëzuara nga PDK dhe LDK. Me këtë vendim të datës 24.07.2025, në rast se nuk arrihet të konstituohet Kuvendi sikur është paraparë në afatin e mëparshëm të dhënë nga kjo Gjykatë (26 korrik), Kushtetuesja ua ndalon deputetëve që ndërmjet datave 27 korrik dhe 8 gusht të ndërmarrin çdo vendim apo veprim për konstituimin e Kuvendit.

Deputetët e legjislaturës së nëntë për herë të fundit u mblodhën më 26.07.2025, kur edhe ishte dita e fundit për konstituim. U mblodhën në ora 14:00 dhe në ora 22:00. Në të dy herët, Kryesuesi Avni Dehari hodhi në votim propozimin për formimin e Komisionit për votim të fshehtë, dhe në asnjërën herë komisioni nuk u vota. Me ç’rast Kuvendi i ndërpreu punimet e seancës konstituive për të respektuar masën e Gjykatës Kushtetuese dhe për të pritur vendimin e saj. Se si do të mbyllet ky proces, që zgjati plot 167 ditë, fjalën e fundit pritet ta jep Kushtetuesja më së largu deri më 8 gusht.