Ligji i Pagave barazon pagën e deputetit dhe ministrit

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, ministri i qeverisë dhe gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, pritet të kenë pagën e njëjtë.

Sipas Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, për këto 3 pozita do jetë koeficienti 16.4.

Vlera e koeficientit ende nuk dihet.

Ky ligj do ta barazoj pagën për pozitën e deputetit dhe ministrit, gjë e cila nuk ka qenë deri më tani në Kosovë, sepse ministrat kanë pasur pagë më të ulët.

Momentalisht paga bazë e një deputeti në Kosovë është 1,547 euro në muaj ndërsa ajo e ministrit është 1,321 euro.

Ligji i ri, pritet të rregulloj edhe çështjen e shtesave të cilat deputetët i marrin pas angazhimit në komisione.

Sipas këtij ligji shtesa e veçantë për pjesëmarrje në të gjitha komisionet nuk mund të kalojë tridhjetë për qind (30%) të pagës bazë së deputetit.

Vlera e koeficientit përmes të cilit caktohen pagat e zyrtarëve publikë ende nuk dihet zyrtarisht, ndonëse Ligji për Pagat dje është publikuar në gazetën zyrtare pas dekretimit nga presidentja.

Ky projektligj pritet të hy në fuqi një muaj pas publikimit në gazetën zyrtare.

Nga Qeveria e Kosovës në një përgjigje për KALLXO.com ka bërë të ditur se vlera monetare e koeficientit pritet të caktohet gjatë këtij muaji.

“Vlera e koeficientit do të caktohet gjatë këtij muaji, pra gjatë muajit janar, bazuar në tërësinë e koeficienteve të shpërndarë me Ligjin e Pagave.” – ka thënë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Ligji për Pagat në sektorin publik është miratuar në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës, me 22 dhjetor 2022.

Më 30 qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kishte shpallur të pavlefshëm Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.

Sipas vendimit, ligji nuk ishte në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës.

Më 6 dhjetor 2019, Ligjin për Paga në Gjykatën Kushtetuese e kishte dërguar Avokati i Popullit për vlerësimin e përputhshmërisë së tij me Kushtetutën. Ligji për paga ishte miratuar në muajin shkurt të atij viti.

Ligji ishte miratuar nga Qeveria e Kosovës, e cila drejtohej nga Ramush Haradinaj.

Gjatë janarit, qeveria pritet ta caktojë vlerën e koeficientit të pagave