Seanca e Kuvendit të Kosovës, 4 qershor 2021, Foto: KALLXO.com

Propozimi i ri për paga – ministri e deputeti do të paguhen njëjtë

Deputeti, ministri dhe gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese në Kosovë në bazë të draft projektligjit të ri të pagave pritet të kenë pagë të njëjtë.

Draft projektligji për paga që e ka siguruar KALLXO.com ka paraparë që këta zyrtarë publikë të kenë koeficientin 16.

Koeficient i njëjtë është paraparë edhe për drejtuesin e lartë në fushën e aviacionit civil dhe navigimit ajror, sipas këtij draft- projektligji.

Ndërsa për një koeficient më shumë sesa këto pozita priten të paguhen zëvendëskryetari i Gjykatës Kushtetuese, zëvendëskryeministri i Kosovës dhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, për të cilët është propozuar koeficienti 17.

Në anën tjetër, Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës ka koeficientin 18.5, pra 2.5 më shumë sesa ministri dhe deputeti.

Ndërsa, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës do të paguhet më shumë sesa deputeti e ministri. Sipas propozimeve të dhëna në draft projektligj, kryesuesi i KGJK-së do ta ketë koeficientin 18.

Kurse, Kryetari i Kuvendit, kryeministri dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese pritet të kenë pagën me 3 koeficient më shumë se sa vartësit e tyre, ministri e deputeti.

Në draftin e Projektligjit të ri për paga nuk është caktuar vlera e koeficientit.

KALLXO.com për këtë çështje ka kërkuar sqarime edhe nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.

Deri në publikim të këtij shkrimi, kjo ministri nuk ka dhënë përgjigje për vlerën e caktuar të koeficientit por as edhe kush ka qenë në grupin punues të këtij drafti të projektligjit të ri për pagat në sektorin publik.

Draft-projektligji nuk e përcakton vlerën e koeficientit për vitin e parë të zbatimit të këtij ligji.

Ndërsa, për vitet e tjera buxhetore, vlera monetare e koeficientit përcaktohet me ligjin për buxhetin.

Në lidhje me këtë draft-projektligj, dje ka reaguar ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i cili i ka quajtur deziformata raportimet e media, pasi që sipas tij nuk ka draft final.

“As nuk ka draft final të ligjit për pagat e zyrtarëve publik e as nuk ka ndonjë vlerë të koeficientit. Vlera e koeficientit nuk do të jetë pjesë e ligjit për pagat e zyrtarëve publik, meqë e njëjta përcaktohet me ligjin e buxhetit”, ka shkruar ai në Facebook.

Më 30 qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.

Sipas vendimit të Gjykatës, ligji nuk ishte në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës dhe shkaktonte “çrregullim të ndarjes së pushteteve në disfavor të gjyqësorit dhe institucioneve të pavarura”.

Ky projektligj ishte dërguar në kushtetuese më 6 dhjetor të vitit 2019 nga institucioni i Avokatit të Popullit, për siç thuhej “vlerësimin e përputhshmërisë” së këtij ligji me Kushtetutën.

Gjykata Kushtetuese kishte vendosur që të pezullohet zbatimi i këtij ligji, deri më 30 mars 2020.

Me pastaj, Gjykata kishte vendosur ta vazhdojë pezullimin e Ligjit të pagave deri më 30 qershor 2020 dhe përfundimisht më 30 qershor e kishte shpallur të pavlefshëm.

Sipas këtij ligji, paga bazë konsiderohet ajo pjesë e pagës, që përfitohet për punën e kryer me orar të plotë të punës.

Vlera kësaj page bazë llogaritet duke shumëzuar koeficientin e klasës së pagës me vlerën monetare të koeficientit.

Koeficienti më i lartë sipas këtij ligji ka qenë 10. Këtë koeficient e mbante vetëm presidenti i vendit, më pas është niveli i 9, ku bënin pjesë kryetari i kuvendit, kryeministri dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese.