KRU “Prishtina” s’e merr përgjegjësinë nëse mediat ua shfaqin fytyrat borxhlinjve të saj

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” nuk e merr përgjegjësinë në rastet kur mediat ua shfaqin fytyrat personave privat gjatë aksioneve për shkyçjen e borxhlinjve të saj.

Këtë qëndrim, kjo kompani e ka shprehur për Kallxo.com, kur është pyetur rreth një aksioni të zhvilluar me 19.06.2024, me ç’rast të paktën në një media janë shfaqur qytetarë në pronën e tyre private.

“Ne si kompani sipas rregulloreve kemi të drejtë në qasje të pronës (ujëmatësit) për verifikim, shkyçje apo testim. Ndërsa ekspozimin e fytyrave nuk e kemi bërë ne si KRU Prishtina, por nga mediat të cilat punën e tyre e bëjnë sipas ligjeve dhe rregulloreve në fuqi” – thuhet në përgjigjen e KRU “Prishtina”.

Të pyetur nëse i kanë marrë parasysh parametrat e mbrojtjes së privatësisë në rastin e realizimit të këtij aksioni, kompania e ujësjellësit vetëm ka mohuar të ketë pranuar ndonjë ankesë nga qytetarët.

“KRU ‘Prishtina’ ka filluar aksionin për shkyçje me media qe disa vite, mirëpo vitin e kaluar dhe këtë vit kanë qenë më intensive me aksione të tilla për arsye të njoftimit të opinionit për pagesa të shërbimeve qe ofron KRU Prishtina dhe nuk kemi pasur ankesa nga konsumatorët” – ka qenë përgjigja që KRU “Prishtina” e ka dhënë për Kallxo.com më 27.06.2024.

Kallxo.com është interesuar të dijë se kush ua ka mundësuar hyrjen në oborr mediave dhe nëse ati janë të shoqëruar dhe siguruar nga KRU “Prishtina”.

“Qasjen e mediave në pronat private ne nuk e mundësojmë dhe as nuk e refuzojmë. Kjo është në domenin e tyre dhe të konsumatorit. Mediat ftohen si zakonisht dhe ne për mbarëvajtjen e aksioni në asistencë i ftojmë dhe Policinë e Kosovës, sipas kontratës që ne kemi me ta për asistim në shkyçje” – thuhet në përgjigjen e kompanisë së ujësjellësit, më datë 28.06.2024.

“Kur pronarët e aprovojnë ose refuzojnë qasjen në prona të tyre, ne nuk kemi autoritet për ti udhëzuar si te veprojnë” – është përgjigjur KRU “Prishtina”.

Me 27.06.2024 Kallxo.com ka raportuar se Agjencia për Informim dhe Privatësi kishte filluar procedurat e inspektimit lidhur me shkeljet e mundshme të privatësisë gjatë një aksioni të KRU “Prishtina” ndaj borxhlinjve në kryeqytet.

Kjo pasi me 19.06.2024 të paktën një medium në Kosovë publikoi një video ku portretizohej aksioni në fjalë e ku kishte sekuenca të xhiruara ku shfaqeshin fytyrat e qytetarëve në hapësirën e tyre private.

Më 27.06.2024, Agjencia ka rikonfirmuar se ka nisur procedurën e inspektimit rreth këtij rasti, mirëpo ende nuk e ka përfunduar.

“Pas pranimit të kërkesës tuaj, Agjencia për Informim dhe Privatësi, më datë 20.06.2024, ju ka njoftuar se ka filluar procedurën e inspektimit për këtë rast. Në momentin e përfundimit të procedurave do t’ju mbajmë të informuar” – thuhet në përgjigjen me e-mail të Agjencisë për Informim dhe Privatësi. Në përgjigjen që Kallxo.com e ka marrë nga Agjencia, më 20.06.2024, ndër tjera thuhet se “në bazë të të gjeturave [AIP] do të dalë me një vendim”.

Kallxo.com e ka kontaktuar Policinë e Kosovës për të qartësuar rolin e tyre në këtë aksion por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar përgjigje.