Presidenti kinez Xi Jinping, djathtas, dhe presidenti rus Vladimir Putin pozojnë për një foto përpara bisedimeve të tyre në Pekin, Kinë, të premten, 4 shkurt 2022. (Alexei Druzhinin, Sputnik, Foto nga pishina e Kremlinit nëpërmjet AP)

Kriza Rusi - Ukrainë: Zhvillmet e ditës së premtë  

 

Presidenti kinez Xi Jinping e ka mbështetur homologun rus Vladimir Putin në ballafaqimin e tij me Perëndimin për Ukrainën, gjatë takimit të tyre përpara ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore në Pekin.

Udhëheqësit në fjalë përdorën një deklaratë të përbashkët për të apeluar për atë që ata e quajtën një “pakicë në skenën botërore” për mbrojtjen e “qasjeve të njëanshme për zgjidhjen e problemeve ndërkombëtare dhe përdorimin e politikës ushtarake”.

Ndërkohë, udhëheqësit e fuqive të Bashkimit Evropian, Franca dhe Gjermania, njoftuan planet e tyre për të shkuar në Moskë dhe Kiev së shpejti për bisedime që synojnë lehtësimin e tensioneve.

Në vijim janë të dhënat që duhen ditur të premten rreth tensioneve ndërkombëtare për dhe rreth Ukrainës, e cila ka rreth 100,000 trupa ruse të grumbulluara përgjatë kufijve të saj.

PUTINI NË KINË PËR OLIMPIADËN DIMËRORE

Putin mori mbështetjen e homologut të tij kinez mes frikës në Perëndim se Moska po përgatitet për aksion ushtarak kundër Ukrainës.

Takimi i Putin dhe Xi u bë përpara ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore në Pekin dhe liderët lëshuan një deklaratë të përbashkët duke theksuar atë që e quajti “ndërhyrje në punët e brendshme” të shteteve të tjera, ndërsa Rusia grumbullon trupa në kufirin e saj me Ukrainën.

Takimi erdhi mes frikës në Perëndim se tensionet midis Rusisë dhe Ukrainës mund të kalojnë në konflikt të armatosur. Të enjten, SHBA-ja akuzoi Kremlinin për një komplot të përpunuar për ta sajuar një sulm nga forcat ukrainase që Rusia mund ta përdorte si pretekst për të ndërmarrë veprime ushtarake kundër fqinjit të saj.

MAKRONI NË MOSKE DHE KIEV

Lëvizjet diplomatike për lehtësimin e krizës do të vazhdojnë javën e ardhshme kur presidenti francez Emmanuel Makron të shkojë në Moskë dhe Kiev për bisedime.

Makroni po ndjek një traditë franceze për të gjetur një rrugë të veçantë nga Shtetet e Bashkuara në gjeopolitikë, si dhe po përpiqet ta lërë gjurmën e tij në këtë krizë dhe t’i mbrojë interesat e Evropës.

Makron foli me telefon me Presidentin e SHBA Joe Biden të mërkurën për ta informuar Uashingtonin mbi shtytjen e tij diplomatike. Dhe të enjten mbrëma, udhëheqësi francez i diskutoi me Putinin dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy mënyrat për t’i “identifikuar elementët që mund të çojnë në depërshkallëzimin” dhe “kushtet për ekuilibrin strategjik në Evropë, të cilat duhet të lejojnë reduktimin e rreziqeve në terren dhe garantojnë sigurinë.

Ndërsa Franca është një lojtar kryesor në NATO dhe po i lëviz trupat e saj në Rumani si pjesë e përgatitjes së aleancës për veprime të mundshme ruse, Macron gjithashtu ka qenë aktivisht në nxitjen e një dialogu me Putinin dhe ka folur me të disa herë në javët e fundit. Të dy do të mbajnë një takim kokë më kokë të hënën, tha zyra e Macron të premten.

KANCELARI GJERMAN VIZITON GJITHASHTU RUSINË, UKRAINEN

Makroni nuk është i vetmi lider evropian që shkon drejt lindjes. Kancelari gjerman Olaf Scholz do të vizitojë Ukrainën dhe Rusinë në mes të shkurtit, duke i shtuar përpjekjet diplomatike për zgjidhjen e krizës me përqendrim në trupat ruse të grumbulluara pranë kufijve të Ukrainës.

Zëdhënësi i qeverisë ëolfgang Buechner tha të premten se Scholz do të udhëtojë në Kiev më 14 shkurt dhe Moskë më 15 shkurt.

Udhëtimi do ta pasojë një takim të planifikuar më parë në Uashington të hënën me Biden.

Buechner tha se qeveria gjermane po konsultohet me Francën dhe Poloninë për një takim midis liderëve të tri vendeve, mirëpo një datë nuk është caktuar ende.

Ai tha se, të enjten, Scholz do t’i mirëpresë në kancelarinë e tij liderët e tri shteteve baltike të Lituanisë, Letonisë dhe Estonisë.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Andrea Sasse tha se Ministrja e Jashtme Annalena Baerbock do ta vizitojë Ukrainën të hënën dhe të martën, një udhëtim që do të përfshijë një vizitë në “vijën e kontaktit” me zonat e kontrolluara nga rebelët në Ukrainën lindore.

PRESIDENTI POLAK DO TË DISKUTOJË NË KINË PËR UKRAINËN

Presidenti i Polonisë ishte i vetmi lider i Bashkimit Evropian që mori pjesë në hapjen e Lojërave Olimpike Dimërore të premten, në atë që zyra e tij tha se ishte një përpjekje për të mbajtur lidhje të mira me Kinën dhe për të lobuar për një lehtësim të tensioneve Rusi-Ukrainë.

Presidenti Andrzej Duda është planifikuar të takohet me udhëheqësin kinez Xi Jinping të dielën, tha zyra e tij, por nuk është planifikuar të takohet me presidentin rus Vladimir Putin, i cili gjithashtu ndodhet në Pekin.

Udhëheqës të tjerë të BE-së i kanë ndjekur Shtetet e Bashkuara, Britaninë, Australinë dhe Kanadanë, ndër të tjera, në një bojkot diplomatik të deklaruar ose të padeklaruar të Lojërave për shkak të historisë së të drejtave të njeriut në Kinë – duke lejuar atletët e tyre të konkurrojnë.

Këshilltari për politikë të jashtme të presidentit polak Duda, Jakub Kumoch, ka thënë se presidenti dëshiron t’i kapë “disa shanse të diplomacisë” nga prezenca e shumë liderëve në Pekin.

“Qëllimi i këtyre bisedimeve është inkurajimi i bashkëbiseduesve që tëa luajnë një rol aktiv në udhëheqjen e bisedimeve Rusi-Ukrainë”, thotë zyra e shtypit presidentit Duda.

MË SHUMË TRUPA AMERIKANE ARRIJNË NË POLONI

Ministria e Mbrojtjes e Polonisë thotë se trupa shtesë amerikane po mbërrijnë në Poloni pasi presidenti Joe Biden urdhëroi vendosjen e 1700 ushtarëve atje mes frikës së një pushtimi rus të Ukrainës.

Ministria tha se avionët amerikanë me pajisje dhe trupa logjistike po zbarkojnë për tA përgatitur arritjen e forcës kryesore, elementë të Divizionit të 82-të Ajror nga Fort Bragg, Karolina e Veriut.

“Trupat e para janë tashmë në Poloni, forca kryesore është në rrugën e saj”, njoftoi ministria në Twitter. Forca kryesore pritet të shtunën, sipas ushtrisë polake.

Nuk u zbulua vendndodhja, por aeroplanët e transportit të Ushtrisë së SHBA me pajisje dhe disa trupa po mbërrinin në aeroportin Rzeszow-Jasionka, rreth 90 kilometra (56 milje) nga kufiri i Polonisë me Ukrainën.

Rreth 4,000 trupa amerikane janë vendosur në Poloni që nga viti 2017, me rotacion./AP