Ushtarët e Regjimentit të 2-të të Kalorësisë rreshtojnë automjetet në aeroportin ushtarak në Vilseck, Gjermani, të mërkurën, 9 shkurt 2022, ndërsa përgatiten për lëvizjen e regjimentit në Rumani (AP Photo/Michael Probst)

Kriza Rusi - Ukrainë - Zhvillimet e fundit

Diplomacia intenzive dhe manovrat ushtarake vazhduan të mërkurën ndërsa Britania nisi përpjekjet e saj diplomatike për të ndihmuar në shmangien e një pushtimi të mundshëm rus të Ukrainës. Asnjë progres në bisedimet e paqes midis Ukrainës dhe Rusisë nuk është në horizont deri më tani, dhe synimet e presidentit rus Vladimir Putin mbeten aq të errëta sikurse asnjëherë më parë.

Ja një vështrim se çfarë po ndodh ku dhe pse?

BRITANIA E MADHE I BASHKANGJITET TAVOLINËS SË BISEDIMEVE

Britania po i përcjell përpjekjet diplomatike të Francës lidhur me krizën Rusi-Ukrainë. Sekretarja e Jashtme britanike Liz Truss fluturoi në Moskë të mërkurën për bisedime me ministrin e Jashtëm rus Sergey Lavrov dhe kryeministri Boris Johnson planifikon të udhëtojë në Poloni dhe selinë e NATO-s të enjten.

Rusia ka vendosur mbi 100,000 trupa pranë Ukrainës, duke nxitur frikën për një pushtim të mundshëm. Presidenti francez Emmanuel Macron, i cili bisedoi me Putinin në Moskë këtë javë, raportoi se Putini i tha atij se Rusia nuk do të përshkallëzonte më tej tensionet.

Por Kremlini mohoi që ndonjë marrëveshje për qetësim ishte arritur të martën, me zëdhënësin Dmitry Peskov duke thënë se “në situatën aktuale, Moska dhe Parisi nuk mund të arrijnë asnjë marrëveshje”. Zyrtarët rusë thonë gjithashtu se Moska nuk ka synime ta pushtojë Ukrainën.

Sekretarja e Jashtme britanike Liz Truss, mem vizitën e sa të parë në Rusi nga një Sekretar i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar në katër vjet, mori një qëndrim më të ashpër se Macron siç u shpreh, duke përsëritur paralajmërimet e shumta perëndimore se një ofensivë ruse mbart kërcënimin e sanksioneve të forta politike dhe ekonomike.

Çdo pushtim rus i Ukrainës “do të sillte pasoja masive për të gjithë të përfshirët”, tha ajo. “Rusia ka një zgjedhje këtu. Ne i inkurajojmë fuqimisht që të angazhohen, të de-përshkallëzohen dhe ta zgjedhin rrugën e diplomacisë”.

ÇFARË PO NDODH NË POLONI, GJERMANI DHE BJELLORUSI?

Shërbimet konsullore të SHBA brenda Polonisë po përgatiten për një rritje të mundshme të numrit  të amerikanëve që jetojnë në Ukrainën fqinje, të cilët mund të vendosin të ikin nëse Rusia e pushton këtë vend.

Trupat e Divizionit të 82-të Ajror që po dislokohen në Poloni kanë zhvilluar plane emergjente për t’i ndihmuar amerikanët brenda Polonisë nëse Rusia e pushton Ukrainën, sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë, i cili nuk ishte i autorizuar të komentonte.

Departamenti i Shtetit vazhdon t’i nxisë amerikanët, përfshirë punonjësit joesencialë të Ambasadës së SHBA-së, që të largohen nga Ukraina tani. Shtëpia e Bardhë ka thënë se nuk parashikon evakuim masiv të qytetarëve amerikanë.

Në Gjermani, një zëdhënës i kancelarit Olaf Scholz ka konfirmuar se këshilltarët e politikës së jashtme nga Gjermania, Franca, Rusia dhe Ukraina do të takohen në Berlin të enjten në “formatin e Normandisë” për të parë nëse është e mundur t’i ringjallen përpjekjet për paqe. Franca dhe Gjermania në vitin 2015 ndihmuan për t’i dhënë fund armiqësive të mëdha midis Rusisë dhe Ukrainës, por luftimet në Ukrainën lindore, të cilat kanë lënë të vrarë mbi 14,000 njerëz, vazhdojnë ende.

Në Bjellorusi, 10 ditët e lojërave të luftës Rusi-Bjellorusi do të fillojnë të enjten. Rusia po dërgon deri në 30,000 trupa, avionë luftarakë, lëshues raketash dhe sisteme të mbrojtjes tokë-ajër për stërvitjet, disa prej tyre që zhvillohen pranë kufirit verior të Ukrainës.

NATO DËRGON KËMBËSORINË

Shtetet e Bashkuara kanë filluar ta vendosin Regjimentin e 2-të të Kalorësisë – regjimentin e kalorësisë me shërbimin më të gjatë aktiv në ushtrinë amerikane – nga Gjermania në Rumani. Komandanti i regjimentit, kolonel Joe Ewers, tha se trupat e para mbërritën në Rumani në 24 orët e fundit.

“Fokusi i këtij misioni të veçantë, natyrisht, është ta përforcojë aleancën e NATO-s, të ndërtojë besimin, t’i sigurojë aleatët tanë dhe të forcojë krahun lindor të aleancës së NATO-s”, u tha Eëers gazetarëve në Rose Barracks në Gjermani. qyteti i Vilseck të mërkurën.

Ndërkohë që NATO nuk planifikon të dërgojë trupa në Ukrainë, aleanca ushtarake prej 30 vendesh po forcon mbrojtjen e saj nga Estonia në Evropën veriore, deri në kufirin perëndimor të Ukrainës dhe në rajonin e Detit të Zi në Bullgari. NATO po mendon gjithashtu nëse do të krijojë një prani ushtarake afatgjatë në Hungari dhe Sllovaki.

Spanja tha të mërkurën se do të dërgojë katër avionë luftarakë dhe 130 trupa në Bullgari për të ndihmuar në mbrojtjen e hapësirës ajrore deri në fund të marsit. Misioni i policisë ajrore do të vazhdojë me dy avionë holandezë F-35 të planifikuar të shkojnë në Bullgari në prill dhe maj.

Bullgaria, e cila iu bashkua NATO-s në vitin 2004, njoftoi se do të ngrejë një batalion prej 1000 trupash nën komandën bullgare, i cili mund të përfshijë gjithashtu ushtarë nga vende të tjera aleate.

Mijëra trupa nga disa vende janë vënë në gatishmëri të shtuar nëse Rusia e nis një invadim. Rusia tha të martën se kishte dërguar gjashtë anije të mëdha zbarkimi në rajonin e Detit të Zi, një zhvillim që i bëri zyrtarët amerikanë veçanërisht të shqetësuar.

RRI QETË DHE VAZHDO TUTJE

Në Ukrainë, ku kapacitetet ushtarake të Rusisë tashmë kanë prekur ekonominë dhe monedhën, zyrtarët, ushtarët dhe civilët po përpiqen të qëndrojnë të vendosur. Diçka e tillë nuk është detyrë e lehtë në “vijën e kontaktit” në lindje të vendit, ku forcat ukrainase kanë luftuar me separatistët e mbështetur nga Rusia për gati tetë vjet.

Zyrtarët amerikanë thonë se kërcënimi i një pushtimi rus në Ukrainë është më serioz se në pikat e tjera të konfliktit. Por një ndjenjë qetësie mbizotëron në kombin e Evropës Lindore, duke filluar nga të afërmit e atyre në llogore e deri te presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy.

“Ne po mbrojmë vendin tonë dhe jemi në territorin tonë. Durimi ynë mund të ndikojë në provokime kur ne nuk i përgjigjemi provokimeve, por sillemi me dinjitet të madh”, tha Zelenskyy./AP