Kriza në Ukrainë, zhvillimet në ditën e 27-të të agresionit rus

Sot është dita e 27 e agresionit rus në Ukrainë. 

Në orët e hershme të 24 shkurtit Rusia ka dërguar dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë me qëllim të degradimit të kapaciteteve ushtarake të Ukrainës dhe të çrrënjosjes së njerëzve që i ka quajtur nacionalistë të rrezikshëm.

Forcat ukrainase janë përgjigjur me rezistencë të ashpër.

Perëndimi ka vendosur sanksione të pashembullta ndaj Rusisë, me qëllim që kjo e fundit të tërheqë forcat nga Ukraina. 

Rusia e konsideron luftën në Ukrainë si “operacion special ushtarak”.

Nëse po na bashkangjiteni tani, këto janë zhvillimet kryesore të ditës së 27 në dhe rreth luftës në Ukrainë

Forcat ruse janë tani brenda qytetit jugor të rrethuar të Mariupolit, tha një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane. Dy “bomba super të fuqishme” tronditën Mariupolin të martën edhe pse përpjekjet e shpëtimit po vazhdonin, thanë autoritetet lokale. Më shumë se 200,000 njerëz janë të bllokuar në qytet, ku situata është përshkruar si “një peizazh ferri i ngrirë i mbushur me trupa të vdekur dhe ndërtesa të shkatërruara”, tha Human Rights ëatch.

Rreth 300,000 njerëzve në qytetin jugor të pushtuar të Khersonit po u mbarojnë ushqimet dhe furnizimet mjekësore, tha një zëdhënës i ministrisë së jashtme të Ukrainës. Kherson ishte qyteti i parë i madh ukrainas që ra në duart e trupave ruse pasi ata pushtuan Ukrainën më 24 shkurt.

Forcave ruse u kanë vetëm tri ditë tjera me karburant, ushqim dhe municione për ta kryer luftën pas një ndërprerje në zinxhirët e tyre të furnizimit, kanë pretenduar komandantët ushtarakë ukrainas. Pretendimet për mungesa të mëdha u përshkruan si “të besueshme” nga zyrtarët perëndimorë, megjithëse ata thanë se nuk ishin në gjendje ta vërtetonin analizën.

Forcat ruse kanë “rrëmbyer” 2,389 fëmijë nga territoret e kontrolluara nga Rusia, Luhansk dhe Donetsk, tha sot ambasada amerikane në Kiev, duke cituar shifra nga ministria e jashtme e Ukrainës. Sipas ambasadës në fjalë “kjo nuk është ndihmë. Është rrëmbim.”

Të paktën një person ka vdekur pasi dronët sulmuan një institut shkencor në kryeqytetin ukrainas, Kiev, raporton AFP. Ekipet e shpëtimit u panë duke hequr një trup nga vendi i ngjarjes, ndërkohë që tymi u ngrit nga ndërtesa shtatëkatëshe në Institutin për Materiale Super të forta në veriperëndim të Kievit, pjesë e Akademisë Kombëtare të Shkencave të Ukrainës.

Ministri ukrainas i shëndetësisë, Viktor Lyashko, tha se 10 spitale ishin shkatërruar plotësisht që kur Rusia pushtoi Ukrainën më 24 shkurt. Spitalet e tjera nuk mund të furnizohen me ilaçe dhe furnizime tjera  për shkak të luftimeve aty pranë, shtoi ministri.

Një gazetare ukrainase, Victoria Roshchyna, është liruar nga robëria nga forcat ruse, tha gazeta ukrainase Hromadske. Megjithatë, ekziston një shqetësim në rritje për fotoreporterin e njohur Maksym Levin, i cili u raportua për herë të fundit se ishte në vijën e frontit pranë Kievit, por askush nuk ka pasur asnjë kontakt me të që nga 13 marsi.

Një gjykatë ruse e ka dënuar kritikun e burgosur të Kremlinit, Alexei Navalny me nëntë vjet burg, pasi e dënoi atë për mashtrim dhe shpërfillje të gjykatës. Navalny po vuan tashmë një dënim prej dy vitesh e gjysmë në një kamp burgu në lindje të Moskës për shkelje të lirimit me kusht në lidhje me akuzat që ai thotë se ishin të sajuara.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka thënë se është koha që Rusia t’i japë fund luftës së saj “absurde” dhe “të pafitueshme” në Ukrainë, ndërsa BE përgatitet të krijojë një “fond besimi” që synon ta ndihmojë Kievin të zmbrapsë pushtimin dhe të rindërtojë atë më pas.

Komisioni Evropian do t’i përcaktojë planet nesër lidhur me refugjatët që po largohen nga Ukraina të cilët do të kenë qasje në punë, arsim dhe strehim në BE, raporton Reuters. Maroš Šefčovič, nënkryetari i komisionit, tha se blloku i BE-së duhet të sigurojë që burimet e duhura janë në vend për t’i përmbushur nevojat e njerëzve pasi përpjekjet fillestare u përqendruan në pritjen e njerëzve në kufi.

SHBA dhe NATO besojnë se Bjellorusia mund “së shpejti” t’i bashkohet Rusisë në luftën e saj kundër Ukrainës, thonë zyrtarët e SHBA-së dhe NATO-s për CNN dhe se ky vend tashmë po ndërmerr hapa për ta bërë një gjë të tillë. Ka gjithnjë e më shumë “gjasa” që Bjellorusia të hyjë në konflikt, tha të hënën një zyrtar ushtarak i NATO-s.

Rreth gjysmë milioni refugjatë që kanë ikur nga lufta në Ukrainë në Poloni kërkojnë mbështetje për çrregullime të shëndetit mendor dhe 30,000 vlerësohet të kenë probleme të rënda të shëndetit mendor, tha të martën përfaqësuesi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Poloni./The Guardian, CNN

Përgatiti: Nuhi Shala