Shtyhet raportimi i RTK-së, deputetja e AAK-së: Kryetari i Bordit po i ikë takimeve

Deputetët e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike kanë vendosur të shtyjnë për një ditë tjetër mbledhjen në të cilën do të raportonte Bordi dhe menaxhmenti i Radio Telvizionit të Kosovës, në lidhje me gjetjet e auditimit.

Kjo pasi, disa deputetë shprehen shqetësim që në ketë mbledhje nuk ishin të pranishëm kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini dhe nënkryetarja, Arta Berisha.

“Nuk është që se kemi vetëm kryetarin në mbledhje por as nënkryetaren. Unë mendoj që për shkak që kemi një raport çfarë e kemi do të duhej t`i kishim kryetarin dhe nënkryetaren”- tha Rashit Qalaj nga PDK.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyçi e quajti të qëllimshme mungesën e kryetarit të Bordit të RTK-së, Besnik Boletini.

“Mendoj që është shumë e rëndësishme që të jetë kryetari sepse mendoj që qëllimshëm po ik nga takimet. Unë jam dhe në komisionin për të drejtat e njeriut dhe dje e kemi pas një anulim për shkak se ai po pretendon të rizgjedhet prap dhe kjo është arsyeja që ai po ik. Edhe sot njëjtë. Duhet të vij me u përballë. Është shumë e rëndësishme që të dimë se çfarë po ndodh aty” – tha ajo.

“Nuk qëndron se po ik prej takimeve sepse unë jam dhe në komisionin për buxhet dhe sa herë e kemi ftuar ka ardh”- u kundërpërgjigj, deputeti, Visar Korenica nga LVV.

Kryetarja e këtij komisionit, Hykmete Bajrami ka thënë se ajo ka pranuar një email nga kryetari i Bordit të RTK-së se ai nuk do të jetë pjesë e mbledhjes për shkak të një udhëtimi por që do të përfaqësohet nga anëtarët e tjerë.

“… unë e kam pranuar këtë gjë. Nga ana e nënkryetares (së komisionit për mbikëqyrje të financave publike) nuk ka pas ndonjë kundërshtim. Meqenëse unë kam pranu, më vjen keq mos me mbajt këtë mbledhje por sido që vendosni ju”- ka theksuar Bajrami.

Anëtarja e Bordit të RTK-së, Albulena Mehmeti, pjesë dhe e komitetit për auditimit tha se për të mbledhja mund te zhvillohet dhe pa kryetarin dhe nënkryetaren sepse ajo është përfshirë direkt në këtë fushë.

“Nëse temë e rendit të ditës më kompetente më shumë se unë që jam për këtë pjesë nuk e di sa do të ishte kryetari dhe nënkryetarja. Ne jemi të gatshëm për këtë pjesë me u përgjigj në detaje”- tha ajo.