Shpallja e aktgjykimit ndaj Goran Stanishiq

Krimet në Sllovi të Lipjanit, Supremja konfirmon dënimin e të dënuarit për krime lufte Goran Stanishiq

Gjykata Supreme i ka konsideruar si të pabazuara kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë të parashtruara nga prokurori i shtetit dhe avokati i të dënuarit për krime lufte Goran Stanishiq.

Goran Stanishiq ishte dënuar nga Gjykata e Prishtinës në tetor të vitit 2021 me 20 vjet burgim me akuzat e kryerjes së veprës penale – krime të luftës ndaj popullatës civile, duke ia llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim.

Këtë aktgjykim e kishte atakuar në Apel mbrojtësi i të dënuarit, me ç’rast Apeli kishte ulur dënimin në 15 vjet burgim. Pjesa tjetër e aktgjykimit të atakuar kishte mbetur e pandryshuar.

Për këto aktgjykime të shpallura, prokurori dhe mbrojtësi i të dënuarit i ishin drejtuar Supremes me kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë, ku prokurori kishte pretenduar se me aktgjykimin e Apelit prej 15 vitesh dënim, Gjykata ka shkelur Ligjin penal dhe ka kërkuar shqyrtim të ri gjyqësor.

Kurse, mbrojtësi Lubomir Pantoviq konsideron se të dy aktgjykimet, edhe nga Apeli dhe ai i Themelores përmbajnë shkelje procedurale dhe Ligjit penal, duke kërkuar që i dënuari, në këtë rast klienti i tij, të lirohet nga akuzat dhe çështjen ta rikthejë për rivendosje në shkallë të parë.

I njëjti në kërkesën e tij kishte vënë në pikëpyetje vlerësimin dhe besueshmërinë e provave, duke shtuar se edhe Gjykata edhe Prokuroria në mënyrë tendencioze siç i quan ai, kanë injoruar deklaratat e dëshmitarëve, të cilat, sipas tij, e shfajësojnë të mbrojturin e tij.

Këtë gjë Supremja e ka kundërshtuar në aktgjykimin  e saj, duke i konsideruar të dy aktgjykimet të qëndrueshme dhe të drejta.

Goran Stanishiq ishte akuzuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës se gjatë prillit 1999, si pjesëtar i forcave policore serbe, bashkë me persona të tjerë, ka marrë pjesë në vrasjet dhe dëbimet e popullatës civile shqiptare në fshatin Sllovi të Lipjanit.

Në aktakuzë thuhej se Goran Stanishiq gjatë vitit 1999 jetonte në fshatin Sllovi të Lipjanit dhe se ishte pjesëtar rezervë i Policisë serbe.

Ai në katër pikat e aktakuzës së Prokurorisë Speciale akuzohej për pjesëmarrje në vrasjen e pesë anëtarëve të familjes G., vrasjen e F.B., Z. G. dhe personave të tjerë të cilët sipas Prokurorisë ishin ndarë nga kolonat me qytetarë dhe ishin pushkatuar.

Tashmë i dënuari në fjalën e tij përfundimtare kishte deklaruar se nuk e ndjen veten fajtor dhe se nuk është fajtor. Ai gjithashtu kishte thënë se i vjen keq për të gjithë vendasit e tij nga Sllovia, “mirëpo unë nuk jam fajtor dhe nuk i kam ndihmuar atij krimi në asnjë mënyrë”.