Krasniqi pret në takim ambasadorin Hovenier, e sheh thelbësore ruajtjen e partneritetit me SHBA-të

Në prag të shënimit të 16-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës , kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka pritur në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Jeffrey Hovenier.

Nëpërmjet një shkrimi në Facebook, Krasniqi ka bërë të ditur se me ambasadorin amerikan kanë diskutuar rreth zhvillimeve të fundit politike në Kosovë.

“Duke vlerësuar lartë mbështetjen e pakusht e të parezervë të SHBA-së në rrugëtimin e gjatë të vendit tonë drejt lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit, theksova se është thelbësore ruajtja dhe thellimi i partneritetit me SHBA-të – kryealeatin strategjik të Kosovës”, ka shkruar Krasniqi, më 16.02.2024.

Ai ka shtuar se PDK-ja do të “vazhdojë të angazhohet në këtë drejtim, të luajë rol konstruktiv në avancimin e raporteve të mira me SHBA-në”.

Ambasadori amerikan, më 15.02.2024, ka thënë se vendimi i Kosovës për ta zbatuar vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për ndalimin e dinarit serb, ka ndikuar në partneritetin mes Shteteve të Bashkuara dhe Qeverisë së Kosovës.

Hovenier tha para gazetarëve se deklaratat e zyrtarëve amerikanë kanë qenë vazhdimisht të qarta se Kosova duhet ta shtyjë vendimin e zbatimit të rregullores.

“Ai [O’Brien] kërkoi partneritet me qeverinë e Kosovës për këtë çështje. Ai shprehu keqardhjen që Qeveria nuk është përgjigjur ndaj kërkesave tona. Dhe ai e bëri të qartë se nëse Kryeministri Kurti nuk do të na trajtojë si partner, kjo vë në pikëpyetje se sa partner mund ta konsiderojmë ne këtë qeveri. Jam i shqetësuar që tani pas intervistës së tij ka deklarata publike që sugjerojnë se partneriteti SHBA-Kosovë nuk është prekur dhe mund të mos ndikohet nga kjo situatë. Duhet të jem i qartë. Kjo thjesht nuk është e vërtetë. Thjesht nuk është kështu. Siç deklaroi ndihmës sekretari O’Brien, kjo situatë tashmë ka ndikuar në cilësinë e partneritetit tonë, mes dy qeverive tona”- ka thënë Hovenier.

Ambasadori amerikan ka thënë se nuk i sfidojnë institucionet e Kosovës për të rregulluar sektorin financiar, por kanë kërkuar që Rregullorja e re e BQK-së të shtyhet.

Rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës – e cila përcakton që euroja të jetë valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa me para të gatshme në gjithë vendin ka hyrë në fuqi më 01.02.2024.