Krasniqi: Omicron e gjeti Qeverinë në befasi, për një muaj patëm rritje të rasteve për 36 mijë%

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi në debatin parlamentar për situatën me pandeminë COVID-19 ka kritikuar Qeverinë për menaxhimin e situatës dhe ka thënë se në muajin e fundit pati rritje enorme të rasteve prej mbi 36 mijë%.

Krasniqi tha se vetëm dje u shënua shifër që më parë rezultonte nga grumbullimi i shifrave për disa muaj.

“Vetëm dje patëm 4,397 raste të reja pozitive me virusin Covid-19. Një numër ky që për vetëm një ditë të vetme dje rezulton me më shumë të infektuar në total sesa numrit ë infektuarve marrë së bashku për disa muaj me radhë gjatë dy viteve të kaluara. Më 26 dhjetor kishim vetëm 6 raste pozitive me Omicron që tash padyshim edhe në Kosovë po del dominues”, ka thënë ai.

Deputeti i PDK-së tha se varianti Omicron e ka gjetur në befasi Qeverinë.

“Edhe ky variant Qeverinë tonë e gjeti në befasi përkundër që krejt bota përgatitej për t’u ballafaquar me të duke parë që ishte një variant shumë më agresiv sesa variantet e kaluara”, shtoi ai.

Kreu i PDK-së e ka quajtur absurditet kufizimin për hyrje në Kosovë vetëm me tri vaksina kundër Covid-19.

“Vendosja e masave për të hyrë në Kosovë vetëm me tri doza të vaksinës, në kohën kur në Kosovë vetëm rreth 4% e kanë marrë dozën e tretë e veçmas si masë ndaj bashkëkombëseve tanë të brezit kufitar me Shqipërinë, Maqedoninë, Luginën e Preshevës që deri dje kanë qarkulluar e punuar krejt normalisht duke i penalizuar ata përmban një lloj absurditeti të pakuptimtë që nuk mund të themi është i paqëllimshëm”, deklaroi ai.

Ai tha se Qeveria e ka lënë të hendikepuar Ministrin e Shëndetësisë duke ja shkurtuar buxhetin.

“Duke ja shkurtuar buxhetin e shëndetësisë 48 përqind, ky buxhet ja pamundëson ministrit Latifi që të ndërmarrë masa në rast të shtimit të pacientëve me COVID nëpër spitalet tona”, ka thënë ai.

Kuvendit po mbanë sot seancë të jashtëzakonshme, me një pikë të rendit të ditës-debat parlamentar për gjendjen me pandeminë COVID-19.

Kosova shënoi të mërkurën rekord të rasteve me COVID-19 që nga shpërthimi i pandemisë në vend.