Krasniqi: Kërkesat për shkarkimin e kryetarëve të komunave në veri nuk janë bërë në kuvendet komunale

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se nga raportimet në media kanë kuptuar se qytetarë nga komunat e Mitrovicës Veriore, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit kanë përgatitur kërkesën për inicimin e procedurave për largimin e kryetarëve të këtyre komunave.

Ai ka njoftuar se dje në komunën e Mitrovicës Veriore kërkesa nga ana e qytetarëve nuk është drejtuar zyrtarisht te kryesuesi i Kuvendit Komunal.

Sipas tij, në komunat Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, përveç raportimeve nga media nuk ka pasur asnjë kërkesë zyrtare drejtuar kuvendeve komunale respektive.

Ai ka thënë se lidhur me ketë çështje po ndërmerren të gjitha masat praktike që qytetarët tanë të ushtrojnë të drejtat e tyre që burojnë nga Ligji për zgjedhjet lokale dhe udhëzimi administrativ përkatës.

Krasniqi tutje ka renditur disa çështje kryesore lidhur me këtë proces;

– Udhëzimi administrativ, përcakton qartë procedurat e inicimit, organizimit dhe dorëzimit të iniciativës së qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni.

– Inicimi i kërkesës niset nga së paku tre qytetarë me të drejtë vote në atë komunë.

– Qytetarët e interesuar duhet të themelojnë një grup nismëtar.

– Grupi nismëtar njofton zyrtarisht Kryesuesin e kuvendit komunal. Brenda pesë ditëve atyre duhet t’u kthehet përgjigje.

– Pas pranimit të kërkesës Kryesuesi i Kuvendit Komunal njofton kryetarin e komunës përkatëse, MAPL-në dhe KQZ-në.

– Ndërsa institucionet komunikojnë zyrtarisht mes tyre për të krijuar kushtet që ua mundëson qytetarëve këtë nismë.

– Pra, pas pranimit të kërkesës dhe njoftimit të Kryetarit, MAPL-së dhe KQZ-së vijojnë procedurat dhe afatet e përcaktuara me udhëzimin administrativ.

– Kërkesa e qytetarëve për largimin e Kryetarit të Komunës nga funksioni duhet të nënshkruhet nga të paktën 20% e votuesve.