Kosova voton

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka nisur simbolikisht procesin e votimit në Kosovë duke e hedhur vet votën e para në kuti në një qendër votimi në Prishtinë.

“E kreva obligimin tim kushtetues e qytetar. I ftoj të gjithë qytetarët dhe subjektet politike dhe komisioneret që në ditën e sotme të kenë kujdes. Pasi që procesi tani nga ky moment është në duart e tyre. Ta kemi parasysh që çka do që ndodhë gjatë ditës së sotme në fund të kësaj ditë do t’i faturohet Kosovës dhe jo atyre”, tha ajo.

Këto janë zgjedhjet e shtata më radhë për Kuvendin e Kosovës.

KQZ-ja ka certifikuar 25 subjekte politike (20 parti politike; 4 koalicione; dhe 1 kandidat të pavarur) për pjesëmarrje në zgjedhje me gjithsej 1 067 kandidatë për deputetë (F 343; M 724).

Në këto zgjedhje numri i qytetarëve me të drejtë vote është 1 milion e 937 mijë e 868 votues, ndërkaq numri i qendrave të votimit është 895 me gjithsej 2 547 vendvotime.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka planifikuar të mbajë disa konferenca gjatë ditës së sotme për të informuar lidhur me pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhje dhe ecurinë e procesit zgjedhor, në orën 08:00; 11:30; 15:30; 19:30 dhe për konferencën ku do të publikohen rezultatet preliminare KQZ-ja do të informojë më vonë.