Kosova anëtarësohet në Shoqatën Europiane të Kartës Rinore

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bërë të ditur se Kosova është anëtarësuar në organizatën ndërkombëtare Shoqata Europiane e Kartës Rinore (European Youth Card Association, EYCA).

Sipas MKRS-së, pjesë e EYCA-s, e cila e ka selinë në Bruksel, janë 30 shtete të cilat lëshojnë kartën europiane të rinisë për mbi 7 milionë të rinj.

MKRS thotë se si pjesë e kësaj organizate, Qeveria do ta ofrojë kartën pa pagesë për të gjithë të rinjtë nën moshën 30-vjeçare, pavarësisht gjinisë, përkatësisë etnike, aftësive apo statusit socio-ekonomik.

“Karta do të jetë e qasshme në formë dixhitale, në të gjitha gjuhët zyrtare të vendit tonë. Karta do t’u jep të rinjve qasje në mbi 60,000 zbritje dhe benefite në transport, akomodim, kulturë, sport, arsim, shërbime dhe produkte kudo në Evropë” – thuhet në njoftimin e MKRS-së.

Sipas MKRS-së, Qeveria do të punojë së bashku me sektorin publik dhe privat të Kosovës për të ofruar zbritje dhe përfitime për mbajtësit e kartave brenda Kosovës, të cilat do vlejnë edhe për vizitorët dhe turistët e rinj të huaj që vijnë në Kosovë.

Nga viti 1991, thuhet më tej në njoftimin MRS-së, EYCA është partner institucional i Këshillit të Europës dhe në këtë cilësi merr pjesë në zbatimin e programit të Marrëveshjes së Pjesshme për Mobilitetin e Rinisë përmes Kartës Rinore.

“Me liberalizimin e vizave për vendin tonë, jemi në prag të mobilitetit të shtuar të të rinjve tanë në Evropë. Ndërsa me masat si Skema Young Cells, bursat e Ministrisë së Arsimit, dhe grantet e mobilitetit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, mijëra të rinjve po ju mundësohet mobiliteti në Evropë për përvoja arsimore, garuese dhe profesionale”- thuhet në njoftim.

MKRS-ja thotë se kosovarët e rinj që do të pajisen më këtë kartë do kenë mundësitë dhe përfitimet e barabarta si të gjithë të rinjtë e Europës.