Kontrata u parashikua gabim, Auditori kërkon nga Komuna Mitrovicës së Jugut ta korrigjoj atë

Kontrata për bartjen e nxënësve nga fshati Koprivë për në fshatin Shipol dhe anasjelltas, doli të jetë parashikuar gabim. Kjo kishte ndodhë për shkak të neglizhencës së zyrtarëve të cilët ishin përgjegjës. Një gabim i tillë, sipas Auditorit, mund të përfundoj në padi gjyqësore andaj kreut të komunës ju rekomandua ta korrigjoj kontratën.

“Te kontrata kornizë “Shërbimi i transportit të nxënësve të shkollave fillore” destinacioni Koprivë – Shipol dhe anasjelltas dhe Vërnicë – Pirqë dhe anasjelltas, vlera e parashikuar e kontratës ishte prej 144,000€, kontrata ishte nënshkruar me operatorin ekonomik fitues të tenderit por vlera e parashikuar ishte vendosur gabimisht, pasi nuk është e përafërt me sasinë e shërbimeve që do të ofrohen”, thuhet në raport.

Tutje në gjetjen e raportit, auditori sqaron se vlera e parashikuar e kontratës do të duhej përllogaritur me çmimin për njësi në lotin e IV-të që është 81.60 euro *185 ditë mësimdhënie gjatë vitit * 3 vite që në total jep vlerën e llogaritur që është dashur të lidhet kontrata për 45,288 euro, si rezultat i kësaj vlera e gabuar është 98,712 euro.

Sipas auditorit kjo kishte ndodhur për shkak të neglizhencës së zyrtarëve përgjegjës dhe gabimet e tilla gjatë lidhjes së kontratës mund të krijojnë keqkuptime për palën mund të shpije në padi gjyqësore.

Auditori i referohet nenit 17 të LPP-së [Ligjit për Prokurimt Publik] për llogaritjen e vlerës së parashikuar të kontratës për shërbime, ku thuhet se vlera e parashikuar e kontratës së propozuar për shërbime është e barabartë me pagesën e përgjithshme dhe shumat e kompensueshme që do të paguhen nga autoriteti kontraktues sipas kontratës, përgjatë gjithë kohëzgjatjes së kontratës, duke pasur parasysh dispozitat e këtij neni.

Kryetarit të komunës ju rekomandua që ta korrigjoj kontratën.

“Kryetari duhet të sigurojë që gabimi i tillë të korrigjohet duke bërë përpjekje për zgjidhje të marrëveshjes dhe të kërkojë që shuma e kontraktuar të korrigjohet dhe nënshkruhet nga të dyja palët”, rekomandon raporti.

Nga komuna janë pajtuar me gjetjen e raportit.

Për më tepër, nëpërmjet letrës së konfirmimit, të datës 28 prill 2022 nga kreu i komunës së Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza konfirmohet se e ka pranuar raportin dhe është pajtuar me të gjeturat e raportit pa ndonjë koment për përmbajtjen e raportit të auditimit për “Pasqyrat Financiare të Komunës Mitrovicë e Jugut për vitin e përfunduar me 31 dhjetor 2021”.