Glauk Konjufca dhe Talat Xhaferi

Konjufca vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, takohet me Talat Xhaferin dhe presidentin Stevo Pendarovski

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca po zhvillon vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut.

Gjatë vizitës atje, Konjufca është takuar me homologun e tij Talat Xhaferin, si dhe presidentin maqedonas, Stevo Pendarovski.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Konjufca takimet me liderët institucional të Maqedonisë së Veriut, i ka konsideruar të ngrohta e tejet miqësore.

“Në diskutimet përmbajtësore mbizotëroi fryma e pajtimit të plotë rreth interesave të përbashkëta të bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut” – ka shkruar Konjufca.

“Gjithashtu i vlerësuam të shkëlqyera marrëdhëniet e deritashme dhe ritheksuam gatishmërinë për kultivimin e mëtutjeshëm të raporteve tona, përfshirë edhe bashkëpunimin ndërparlamentar, duke konsideruar se avancimi i marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha sferat me interes të përbashkët i kontribuon zhvillimit të ndërsjellë, stabilitetit të rajonit dhe më gjerë”.

Konjufca ka thënë se me presidentin Pendarovski dhe kryetarin Xhaferi kanë ndarë pikëpamje të njejtë, sipas tij, se i gjithë Ballkani Perëndimor duhet të integrohet sa më parë në BE dhe NATO.