Konjufca: Numri i grave në politikë dhe siguri në Kosovë duhet të rritet

Kuvendi i Kosovës ka nisur punimet e Konferencës rajonale “Parlamentarizmi dhe Rezoluta 1325: Perspektivat nga Ballkani Perëndimor”.

Me këtë rast, kryeparlamentari Glauk Konjufca ka falënderuar Grupin e Grave Deputete që janë nikoqire të kësaj konference, duke thënë se ky grup joformal mbipartiak pavarësisht dallimeve partiake, po punon “fuqishëm për promovimin e fuqizimit të grave në sferën politike e publike”. Kjo ngjarje është dëshmia më e mira e këtij bashkëpunimi”- ka deklaruar Konjufca.

Kosova, siç tha ai, është shembull i mirë për përmbushjen e agjendave globale për përfshirjen e grave në fushat që lidhen me paqen dhe sigurinë.

“Siç e dimë agjenda për gratë, ndër të tjera si qëllim kryesor ka pozicionimin e  grave si partnere të barabarta në të gjitha fushat që lidhen me paqen dhe sigurinë. Në këtë drejtim Kosova është shembull i mirë i përkushtimit për përmbushjen e agjendave globale pavarësisht faktit që shpesh herë jemi të kufizuar për t’i dhënë zë punës sonë në këta organizma që ne ende nuk jemi anëtarë”- tha Konjufca, më 23.02.2024.

“Është thënë e rithënë shumë herë nga shumë prej neve që përfshirja e grave në shumë procese të paqes dhe sigurisë është parakusht për paqe dhe për demokracinë e qëndrueshme, dhe kur them përfshirje, nuk e mendoj vetëm si statistikë, ndonëse edhe statistikat janë të rëndësishme, por thelbësore është pjesëmarrja aktive e grave në çështjen e sigurisë, të drejtësisë dhe në zgjidhjen e konflikteve”- shtoi ai.

Duke u ndërlidhur me këtë çështje, ai përmendi zgjedhjen e presidentes, Vjosa Osmani duke theksuar se ajo e meriton një falënderim të veçantë sepse është shtysë e madhe e kësaj kauze.

I pari i Kuvendit nënvizoi se sot ka një numër të madh të grave në politikë porse numri i tyre është larg në të qenit i barabartë me atë të burrave.

“Ne sot e kemi një numër të madh të grave në politikë, në sektorin e drejtësisë dhe në atë të sigurisë, ndonëse numri i tyre është larg nga të qenit i barabartë me numrin e burrave dhe kjo duhet të ndryshohet. Një tregues i mirë për të arritur numrin e grave në sektorin e sigurisë nga ana e Parlamentit është edhe zgjedhja tash së fundmi e Komisioneres grua parlamentare për FSK-në, organ ky i pavarur i krijuar nga Kuvendi për herë të parë”- vlerësoi Konjufca.

Duke uruar që kjo konferencë dhe iniciativat e tilla të shërbejnë për të ndërtuar aleanca të reja për ndërtimin e paqes dhe sigurinë afatgjate, kryetari i Kuvendit të Kosovës tha se pavarësisht sfidave që mund të paraqiten duhet t’i jepet vëmendje progresit të shënuar ndër vite që gratë dhe vajzat të jenë pjesë e tryezave të diskutimit dhe vendimmarrjes.

Grupi i Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës është nikoqire të kësaj konference.

Më 31.10.2000, Këshilli i Sigurimit (KS) i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) miratoi Rezolutën 1325 për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë.

Që nga miratimi i saj, aktivistet e të drejtave të grave në Kosovë vazhdimisht kanë bërë thirrje për zbatimin e kësaj rezolute të rëndësishme.

Rezoluta vë theksin në rolin e rëndësishëm të grave në ndërtimin e paqes si dhe në “rëndësinë e pjesëmarrjes së barabartë dhe përfshirjen e plotë të tyre” në të gjitha nivelet e vendimmarrjes, duke përfshirë këtu edhe negociatat.

Rezoluta po ashtu thërret për mbrojtjen e grave dhe vajzave në situatat e konfliktit dhe post-konfliktit, për trajtim të duhur për personelin e mbrojtjes si dhe për drejtësi për krimet kundër njerëzimit, përfshirë edhe dhunën seksuale.

Rezoluta thekson përgjegjësinë e të gjitha shteteve për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë dhe për t’i ndjekur penalisht përgjegjësit e gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit, si dhe krimeve të luftës, ndër to edhe krimet seksuale dhe krimet e tjera të kryera ndaj grave dhe vajzave.