Konjufca dhe ambasadori i ri i ShBA-së, të përkushtuar për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca gjatë ditës së sotme ka pritur në takim ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey M. Hovenier të cilët kanë shprehur përkushtimin për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe, bashkërendimin e objektivave dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

Konjufca ka vlerësuar lart miqësinë e “palëkundur dhe partneritetin shembullor” me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke vënë në pah se e ardhmja e Republikës së Kosovës është në BE, NATO dhe organizatat e tjera ndërkombëtare.

“Ai po ashtu falënderoi ambasadorin Hovenier për përkrahjen e vazhdueshme dhe mbështetjen e gjithanshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës, duke shprehur mirënjohje edhe për dhurimin e mbi gjysmë milioni të vaksinave Pfizer kundër koronavirusit”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga drejtoria për media dhe marrëdhënie me publikun e Kuvendit të Kosovës.