Komuna e Prishtinës nis procedurat për ndërtimin e "Rrugës A”, pjesa e parë do kushtojë 9.5 milionë euro

Komuna e Prishtinës ka shpallur tenderin për ndërtimin e “Rrugës A”. Kostoja e pjesës së parë të këtij projekti kap vlerën e 9.5 milionë euro.

Pjesa e parë e rrugës fillon nga “Veterniku” deri te vazhdimi i “Rrugës B”, kurse punimet pritet të përfundojnë 240 ditë nga dhënia e kontratës.

Më 29 prill të këtij viti, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka prezantuar projektin për “Rrugën A”.

Rama kishte shkruar se në kuadër të këtij projekti përfshihet rruga me të gjitha instalimet nëntokësore dhe do të jenë tri korsi në një drejtim.

Ai ka thënë se rruga gjithashtu do të ketë shtegun e biçikletave, trotuarin afër saj dhe po ashtu do të ketë tri shtigje të tjera të hapësirave gjelbëruese.

“Rr. “A”, do të ndihmojë dukshëm në shkarkimin e trafikut të Prishtinës së Re. LOT I, do të përfshijë segmentin nga “Veterniku” deri të vazhdimi i ‘Rrugës B’”, kishte shkruar kryetari i kryeqytetit.

Derisa, për pjesën e dytë që shkon edhe nëpër lagjen “Kalabria’”, komuna fillimisht duhet të rregullojë çështjet pronësore për ndërtimin e kolektorit të ujërave të zeza.

Projekti do jetë në bashkëfinancim me Ministrinë e Infrastrukturës.

Përparim Rama prezanton projektin e ‘Rrugës A’, tregon se si do duket