Projekti i rrugës A | Foto: Përparim Rama/Facebook

Përparim Rama prezanton projektin e 'Rrugës A', tregon se si do duket

Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka prezantuar projektin e rrugës “A”.

Në një postim në rrjetin social “Facebook”, Rama ka shkruar se në kuadër të këtij projekti përfshihet rruga me të gjitha instalimet nëntokësore dhe do të jenë tri korsi në një drejtim.

“Në kuadër të këtij projekti përfshihet rruga me të gjitha instalimet nëntokësore. Rruga do të jetë me tri korsi në një drejtim. Për autobus do të ketë korsi të veçantë ndërsa dy korsitë tjera do të shfrytëzohen për vetura”, ka shpjeguar Rama.

Ai ka thënë se rruga gjithashtu do të ketë shtegun e biçikletave, trotuarin afër saj dhe po ashtu do të ketë tri shtigje tjera të hapësirave gjelbëruese.

I pari i Prishtinës tutje ka theksuar se rruga “A” do të ndihmojë në shkarkimin e trafikut të Prishtinës së Re.

“Rr. “A”, do të ndihmojë dukshëm në shkarkimin e trafikut të Prishtinës së Re, në të cilën ndërtimi i segmentit të LOT I do të kushtojë rreth 8 milionë euro.  LOT I, do të përfshijë segmentin nga “Veterniku” deri të vazhdimi i ‘Rrugës B’”, ka shkruar kryetari i kryeqytetit.