Komuna e Prishtinës lë shumë projekte për vitin e fundit të qeverisjes

Fillimi i punës në shumë projekte të premtuara gjatë fushatës parazgjedhore ka bërë që shumë lagje e rrugë të kryeqytetit të përballen me vështirësi të ndryshme.

Që nga fillimi i këtij viti Komuna e Prishtinës ka filluar punime nëpër shumë rrugë të qytetit.

Kjo ka bërë që të shkaktohen tollovi me vetura si dhe pakënaqësi të shumta tek qytetarët e këtyre zonave.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti është në vitin e tij të fundit të qeverisjes në kryeqytet dhe si duket shumicën e projekteve i ka ruajtur për fund.

Përveç punimeve në rekonstruktim të një pjese të madhe të rrugëve, njëkohësisht po kryhen punime në shtigjet për biçikleta, projektin ‘Prishtina Parking’, gjithashtu KEDS ka plane të investojë rreth 20 milionë euro për futje të rrjetit të kabllove nën tokë.

Gjithë kjo laramani e punimeve i ka bërë rrugët e kryeqytetit një ‘katrahurë’, e cila bie në sy edhe më shumë gjatë reshjeve siç ishin ato të këtyre ditëve ku bëri që shumë rrugë të bëhen të pakalueshme si pasojë e zvarritjes së punimeve nëpër to.

 

Punimet ne lagjen ‘Pejton’

Prej muajit janar të këtij viti e deri tash Prishtina ka nënshkruar shumë kontrata për punime në rrugë të ndryshme.

Në muajin prill Prishtina nënshkroi kontratë për ‘Rigjenerim urban të lagjeve të kryeqytetit’ si dhe ‘Ndërtim të rrugëve urbane me infrastrukturë përcjellëse’ me një vlerë rreth 400 mijë euro, këto punime pritej që të përfundonin me një afat prej 150 ditësh.

Në muajin prill gjithashtu është dhënë kontrata për ‘Rikonstruktim të rrugës Agim Ramadani’ me një vlerë prej rreth 400 mijë euro, dhe pritej të përfundonte për 180 ditë.

Kontratën për këto punime e kishte fituar kompania RSM Company SH.P.K.

Rruga ‘Agim Ramadani’ vazhdon të jetë në gjendje shumë të rëndë deri në keto momente.

 

Rruga ‘Agim Ramadani’

Në muajin maj është dhënë kontrata për ‘Ndërtimin e rrugës paralele me rrugën B’, me vlerë vlerë rreth 300 mijë euro, kompania e  cila kreu punime në këtë rrugë është BENI-COM SH.P.K “ALL STONE” , me kohëzgjatje deri 150 ditë.

Në muajin maj gjithashtu u dha kontrata për punime në rigjenerim të rrugës ‘Mehmet Kacurri’ (Rruga Model) me kohëzgjatje deri 240 ditë, me një vlerë prej 270 mijë euro.

Këto janë vetëm disa prej kontratave që janë dhënë në gjysmën e parë të këtij viti, por janë edhe shumë punime tjera nëpër pjesë të ndryshme që për shkak të zvarritjes janë shkatërruar edhe më shumë sidomos nga reshjet dhe mjetet e rënda.

Shembull konkret janë punimet në lagjen ‘Pejton’ në qendër të qytetit, këto punime sipas zyrës për informim të komunës pritet të zgjasin deri në muajin shtator, kurse nga kompania që po kryen punimet thonë se u kanë dal edhe probleme me rrjetin e vjetëruar të kanalizimit.

Rrugët në lagjen Mati, siç është rr. “Mbreti Genc” gjithashtu është në gjendje të rëndë kjo edhe si pasojë e ndërtimeve në atë pjesë.

 

Rruga “Mbreti Genc”

Rruga ‘Ali Vitia’ në lagjen ‘Kalabria ka mbetur e dëmtuar tash e një kohë si shkak i punimve për kolektorin e ujërave të zeza, i cili po ashtu ka mbetur i papërfudnuar.

Komuna gjithashtu ka thënë se aryeja përse disa punime po marrin kohë më shumë se që parashihet në kontrata janë edhe punimet shtesë për shtigje të çiklizmit si dhe rrjetit të kanalizimt.

Sa i përket shtigjeve të çiklizmit, komuna ka në plan të shtrojë rreth 35 km shtigje për ciklizëm, i  cili do përfshijë edhe disa prej rrugëve të lartpërmdura.

Sa i përket projektit ‘Prishtina Parking’, punime janë duke u kryer në shumë lagje të qytetit, disa prej tyre kanë përfunduar, por ka edhe shumë tjera që po kryhet punime në to, përfshirë atë tek Shkolla ‘Ali Sokoli’, i cili do jetë njëri nga katër parkingjet në hyrjet e kryeqytetit.

Në parkingje të tilla është punuar edhe tek Stadiumi ‘Fadil Vokrri’, Qafa, Lagjet ‘Dardania’ dhe ‘Arbëri’.

Në kryeqytet janë edhe shume rrugë të tjera të cilat dëmtohen vazhdimisht edhe nga punëkryesit si dhe cilësia e dobët e asfaltit.

Ura në ‘Dardani’, afër Stacionit të autobusëve

Nga gjithë ky ‘lëmsh’ në kryeqytet janë qytetarët ata të cilët po pësojnë me vështirësi qarkullimi si dhe baltë të madhe gjatë ditëve me reshje.