Ilustrim

Çmimet e parkimit në Komunën e Prishtinës

Komuna e Prishtinës tashmë e ka funksionalizuar ndërmarrjen publike “Prishtina Parking”.

Sipas komunës, kjo ndërmarrje do të krijojë parkingje të reja dhe do të reduktojë tollovitë në kryeqytet.

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të kësaj ndërmarrjeje, Liridon Restelica, në një intervistë për KALLXO.com ka dhënë detaje rreth funksionimit të saj dhe çmimeve të parkingjeve.

Sipas Restelicës, fillimisht kjo ndërmarrje do të krijojë parkingje me laura dhe më pas do të fillojë edhe me ato në qytet.

“Aktualisht ne kemi nën menaxhim parkingun mbrapa Pallatit të Rinisë te rruga Dritan Hoxha, është duke funksionuar me kapacitet të plotë, besoj se edhe aty do të ketë disa investime për shkak të kushteve aktuale. Ne jemi në fazën e ndërtimit të tri parkingjeve me laura, një është në afërsi të zyreve të ndërmarrjes, një është në Dardani dhe një është në rrugën Shkupi që është te stadium “Ramiz Sadiku”, thotë Restelica.

Gjithashtu ai ka treguar se parkingjet në Prishtinë do të ndahen në zona, të cilat do t’i karakterizojnë edhe çmimet në mënyrë që të reduktohet fluksi i veturave në zonën Qendër.

“Në kuadër të vendimit të Kuvendit Komunal, Prishtina do t’i ketë tri zona të cilat do të karakterizohen edhe në zona të banimit edhe në çmimore. Zona e parë është zona në qendër në të cilën jemi duke punuar aktualisht për të implementuar mënyrën e parkimit edhe për banorë rezident dhe ata jorezident”, ka shtuar ai.

Sipas Restelicës, përparësi në parkingjet e krijuara nga ndërmarrja “Prishtina Parking” do të kenë banorët rezidentë të kryeqytetit, të cilët do të kenë edhe çmime më të lira.

“Në zonën e parë për banorët rezidentë çmimi mujor do të jetë 10 euro ndërsa çmimi vjetor 100 euro, ndërsa për punëtorët të cilët punojnë në zonën e parë, të cilët e dokumentojnë se janë punëtorë të ndonjë institucioni apo ndonjë biznesi ata do ta kenë pagesën 30 euro ose 300 euro vjetore. Ndërsa personat juridik ose bizneset çmimorja është 45 euro për muaj dhe 450 euro vjetore”, ka thënë Restelica.

Sipas Restelicës, mundësia e aplikimit do të jetë në dy forma, në formë fizike dhe në formë elektronike në bazë të kushteve që do të vendosen nga ndërmarrja.

BIRN ka monitoruar proceset e rekrutimit të bordit të kësaj ndërmarrjeje si dhe konkursin e parë të zgjedhjes së kryeshefit të “Prishtina Parking”, të cilat janë zhvilluar me asistencë të Ambasadës Britanike.

Konkursi për kryeshef ishte anuluar pasi me rekomandim të britanikëve, kandidatët e intervistuar nuk kanë qenë të përshtatshëm ëpr pozitën e kryeshefit.

Komuna e Prishtinës tashmë ka hapur konkurs për pozitën e kryeshefit të kësaj ndërmarrjeje.

Komuna e Prishtinës kishte zvarritur funksionalizimin e ndërmarrjes publike “Prishtina Parking” dhe përzgjedhjen e anëtarëve të bordit të kësaj ndërmarrjeje.  Ky konkurs ishte anuluar dy herët e para ndërsa herën e tretë ishte anuluar pjesërisht.

Komuna e Prishtinës, herën e fundit kur ky konkurs ka qenë i hapur kishte vendosur ta respektojë rekomandimin e BDO-së, kompania e angazhuar nga Ambasada Britanike për t’i ofruar asistencë në rekrutim, për bordin e ‘Prishtina Parking’.